Deliu: Nuk votojmë një ministër që ka degraduar Republikën e Kosovës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra, pas përfundimit të njëzet e nëntë të seancës konstituive të kuvendit, tha se si PDK nuk mund ta votojnë një ministre e cila për pesë vite, sipas saj ka degraduar Republikën e Kosovës. Deliu tha se edhe qytetarët e vendit kanë filluar ta humbin interesimin nga…

Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra, pas përfundimit të njëzet e nëntë të seancës konstituive të kuvendit, tha se si PDK nuk mund ta votojnë një ministre e cila për pesë vite, sipas saj ka degraduar Republikën e Kosovës.
Deliu tha se edhe qytetarët e vendit kanë filluar ta humbin interesimin nga këto seanca përsëritëse pa asnjë mundësi për të dalur nga ngërçi politik.
Sipas saj, emri i Albulena Haxhiut për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti është më i madh sesa problemet e qytetarëve të Kosovës.
“Edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, kanë filluar ta humbin interesimin nga këto seanca përsëritëse pa asnjë mundësi për të dalur nga ky ngërç politik për shkak të barikadimit të grupit më të madh parlamentar në emrin e zonjës Haxhiu. Nuk e besoj që i kontribuon stabilitetit, zhvillimit të Kosovës që një emër i përveçshëm të jetë më i madh sesa problemet e shumta që sot kanë qytetarët e Kosovës, prandaj mos lëvizja e partisë, Lëvizjes Vetëvendosje nga barikadimi flet për gjendjen të cilën ne sot e kemi”, tha Deliu.
Tutje, deputetja Deliu shtoi se marrëveshjet politike janë të domosdoshme dhe se nuk mund të vazhdohet tutje me këtë gjendje pa reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ne kemi dalë me propozime të çarta si Parti Demokratike e Kosovës kemi thënë ta ofrojnë një propozim përtej Haxhiut, një kandidat që nuk ka qenë ministër, ne nuk mund ta votojmë një ministër që ka degraduar për pesë vite Republikën e Kosovës, deri në këtë gjendje nuk mund t’i vazhdohet mandati të udhëheqë me Kuvendin e Kosovës por duhet të ketë një emër të ri. Marrëveshjet politike sot duhet të jenë të domosdoshme dhe nuk mund të vazhdohet tutje me këtë gjendje pa asnjë reflektim nga VV-ja, por me akuza të përsëritura tek grupimet tjera”, shtoi ajo.
Deliu u shpreh se PDK-ja ka propozuar tash e sa kohë alternativa për të dalur nga ky ngërç politik.