Delegacioni i gjyqtarëve të Supremes dhe Kushtetueses, viziton Gjermaninë

Një delegacion prej gjashtë gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të Kushtetueses, të prirë nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, po zhvillojnë takime me homologët e tyre të Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë.

Lajme

20/10/2015 13:26

Siç njofton Gjykata Kushtetuese, kjo vizitë ka për qëllim që gjyqtarët kosovarë, të njihen për së afërmi me metodat e punës së gjykatave gjermane.

“Gjatë qëndrimit në qytetin Karlsruhe të Gjermanisë, ku edhe ndodhet selia e Gjykatës Kushtetuese të këtij vendi, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme të Kosovës, do të zhvillojnë takime të përbashkëta me homologët e tyre gjermanë edhe në Gjykatën Supreme Federale të Gjermanisë”.

“Qëllimi i kësaj vizite është që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme të Kosovës të njihen më për së afërmi me metodat e punës, të vendimmarrjes dhe me raportin ekzistues ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme Federale të Gjermanisë”, thuhet në njoftim, raporton lajmi.net.