Delegacioni gjerman viziton Termokosin – konfirmohet vazhdimi i mbështetjes për projektet kapitale
Një delegacion i lartë nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim e Gjermanisë (BMZ), Ambasada Gjermane në Kosovë dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), ka vizituar NP “Termokos”. Delegacioni, i udhëhequr nga znj. Micong Klimes, është pritur nga u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv, Kastriot Bllaca, i cili ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të projekteve të…
Lajme
Një delegacion i lartë nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim e Gjermanisë (BMZ), Ambasada Gjermane në Kosovë dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), ka vizituar NP “Termokos”.
Delegacioni, i udhëhequr nga znj. Micong Klimes, është pritur nga u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv, Kastriot Bllaca, i cili ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të projekteve të ndërmarrjes.
Znj. Klimes ka rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes së Qeverisë Gjermane për projektet kapitale, përfshirë zgjerimin e rrjetit dhe projektin “Solar 4Kosovo II”. Derisa në shenjë falënderimi, Bllaca i dorëzoi një pllakatë mirënjohjeje.
Postimi i plotë:
U.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të NP “Termokos”, z. Kastriot Bllaca ka mirëpritur dje një delegacion të lartë nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim e Gjermanisë (BMZ), Ambasada Gjermane në Kosovë dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).
Delegacioni është udhëhequr nga znj. Micong Klimes, zyrtare përgjegjëse për Kosovën në BMZ, e cila me të marrë këtë detyrë e ka vendosur në prioritet të angazhimeve të saj vizitën në NP “Termokos” për të parë nga afër suksesin e projekteve të realizuara dhe progresin e atyre në proces realizimi, që janë financuar me fondet e Qeverisë Gjermane.
Gjatë vizitës së realizuar në stacionin për nxjerrjen e energjisë ngrohëse në hapësirat e KEK-ut, Kryeshefi Bllaca ka falenderuar delegacionin për vizitën. Ai ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen e vazhdueshme, që Qeveria Gjermane ka ofruar për realizimin e projekteve të ndërmarrjes.
Në shenjë mirënjohje për mbështetjen e ofruar, Kryeshefi Bllaca i ka dhuruar një pllakatë falenderimi znj. Klimes. Ky akt simbolik është një rikonfirmim i qartë i një bashkëpunimi të shkëlqyer për më shumë se një dekadë, në saje të cilit janë realizuar projekte kapitale, që kanë transformuar dukshëm ndërmarrjen dhe kanë përmirësuar shërbimet e ofruara.
“Ne jemi thellësisht mirënjohës për gjithë përkrahjen tuaj financiare deri më tani, si dhe për angazhimin e vazhdueshëm në zhvillimin e projekteve të reja, të cilat përbëjnë jo vetëm investime kapitale strategjike për ndërmarrjen tonë, por nëpërmes përmirësimit të shërbimeve të ngrohjes dhe përfshirjen e sa më shumë konsumatorëve në rrjetin e ngrohjes, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve të Prishtinës”, theksoi Kryeshefi Bllaca.
Znj. Micong Klimes është shprehur e kënaqur me pritjen dhe nderimin, që i është bërë si dhe ka rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes nga ana e Qeverisë Gjermane për realizimin e projekteve kapitale të ndërmarrjes.
Delegacioni gjerman është njoftuar në detaje për mënyrën e funksionimit të sistemit të kogjenerimit, përparësitë e Projektit të kogjenerimit, realizimi i suksesshëm i të cilit u ka paraprirë projekteve tjera si: Projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes si dhe projekti “Solar 4Kosovo II”, që është në proces realizimi. /Lajmi.net/