Del edhe fotografia e përfaqësuesve të Kosovës në takimin e fshehtë të Berlinit

Lajmi.net më herët ka raportuar nga burimet vendore dhe ndërkombëtare se është mbajtur një takim në zyret e kancelarisë Gjermane ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga Kosova, Serbia, BE, Gjermania, Franca e SHBA-të.

Lajme

20/06/2019 18:05

Nga Kosova në këtë takim kanë marrë pjesë dy njerëzit më besnikë të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi i cili është tani ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shefi i stafit të kryeministrit, Selim Selimi dhe ish-avokati i Haradinajt, Michael O’Riley.

Ekskluzive: Darkë e fshehtë në Berlin për Asociacionin me kompetenca ekzekutive

Ndërkohë, lajmi.net ka siguruar edhe një fotografi e cila është shkrepur në një Hotel të Berlinit ku në foto shihen të tre personat për të cilët lajmi.net raportoi se kishin qenë në takim.

Fotografia është shkrepur në ora 17:30 në hotel ‘Mariot’ në Berlin.

Burimet e lajmi.net kanë konfirmuar se qëllimi i këtij takimi sekret ka qenë diskutimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë me kompetenca ekzekutive apo Asociacioni Plus.

Të njëjtat burime ndërkombëtare dhe vendore e kanë konfirmuar se kryeministri Haradinaj tashmë ka pranuar propozimin e Gjermanisë që Kosova të pranojë themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive si kompromis kryesor për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Sipas këtij skenari, Serbia nuk do të ketë nevojë ta njoh pavarësinë e Kosovës de jure dhe as te vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Serbia vetëm do ta pranojë faktin se Kosova ka territorin e saj. /Lajmi.net/