Dekretimi i ligjit të Trepçës s’ka të bëjë me komunat e Veriut

Ligji i dekretuar sot nga Jahjaga për ndërmarrje publike i cili parasheh riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, është konsideruar shumë i nevojshëm edhe nga ministri Blerand Stavileci.

Lajme

29/01/2015 19:56

Ai në një intervistë për RTK-në ka thënë se ky ligj s’ka të bëjë asgjë me komunat e Mitrovicës Veriore, ndërsa mosndryshimi i tij ka konsideruar ministri se do të mund të sillte probleme tek kontratat e minatorëve.

“Ne do të kishim me mijëra punëtore të cilëve do t’ju shkëputej kontrata. Duke parë që ne kemi pasur vetëm 40 ditë në dispozicion kemi shikuar për mënyrën se si ta gjejmë zgjidhjen në mënyrë që të pamundësohet likuidimi i Trepçës”.

“Pasi kemi arritur ta shpëtojmë nga likuidimi, tashmë s’kemi trysni kohore. Me këtë ndryshim ne kemi pamundësuar dhe kemi fituar kohë që në mënyrë të qetë ta gjejmë zgjidhjen më të mirë për këtë ndërmarrje. Për këtë duhet të kemi edhe një analizë dhe ekspertizë të mirë”.

Stavileci sqaroi se me dekretimin e ligjit s’ka të bëjë aspak me atë se kujt po i takon Trepça, por ai merret vetëm me të ardhmen ekonomike të kësaj ndërmarrje.

 “Me këtë ligj të cilin ne e kemi plotësuar dhe ndryshuar nuk lidhet asgjë me komunat veriore, ka të bëjë thjeshtë me këto afate të cilat e largojnë likuidimin e ndërmarrjes Trepça”, ka thënë Stavileci.