Deklarohet i pafajshëm ish-pjesëtari të MUP-it serb i akuzuar për krime lufte në Vushtrri
Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Radomir Deliq, u deklarua i pafajshëm për akuzën se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Florije Salihu-Shamolli, raporton “Betimi për Drejtësi“. “Nuk ndihem fajtor”, deklaroi Deliq. Pas…
Lajme
Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Radomir Deliq, u deklarua i pafajshëm për akuzën se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Florije Salihu-Shamolli, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Nuk ndihem fajtor”, deklaroi Deliq.
Pas deklarimit të të akuzuarit, kryetarja e trupit gjykues Donikë Shala-Abdyli njoftoi atë dhe mbrojtjen se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të kundërshtojnë provat dhe të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 7 korrik 2026 ngriti aktakuzë ndaj Radomir Deliq, të cilin e ngarkon se në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it serb, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës Sh.D., e cila nuk iu mbijetoi plagëve të marra. Po ashtu, ngarkohet se mori pjesë më vrasjen e 71 civilëve.
“Sipas aktakuzës, R.D., ish pjesëtar i MUP-it serb, më 22.05.1999 kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës Sh.D., e cila nuk u kishte mbijetuar plagëve të marra. Po ashtu, i pandehuri akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve, në trajtim çnjerëzor, torturë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë. /BetimipërDrejtësi