Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë

Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të akuzuarit Gjergj Gjokaj dhe Zef Ademaj u deklaruan të pafajshëm për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë. I akuzuari Gjokaj e pranoi fajin vetëm pjesërisht për armëmbajtje pa leje, por iu refuzua nga Gjykata. Në këtë rast, Gjergj Gjokaj dhe Zef Ademaj, ngarkohen se më…

Lajme

24/02/2025 17:00

Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të akuzuarit Gjergj Gjokaj dhe Zef Ademaj u deklaruan të pafajshëm për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë.

I akuzuari Gjokaj e pranoi fajin vetëm pjesërisht për armëmbajtje pa leje, por iu refuzua nga Gjykata.

Në këtë rast, Gjergj Gjokaj dhe Zef Ademaj, ngarkohen se më 25 qershor 2023, në rrugën “Qafa” në fshatin Madanaj, duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje privojnë nga jeta tani të ndjerët B.I., dhe H.I., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dëshirë Jusaj, i akuzuari Gjokaj u deklarua i pafajshëm për veprën penale “Vrasja e rëndë në bashkëkryerje”, ndërsa e pranoi fajësinë pjesërisht vetëm për armëmbajtje pa leje. Ndërsa, i akuzuari Zef Ademaj u deklarua tërësisht i pafajshëm.

Më pas, prokurorja Dëshirë Jusaj tha se nuk e konsideron pranim të fajësisë pranimin e pjesërishëm nga ana e të akuzuarit Gjokaj.

“Edhe po të kishte pranim të tërësishëm për armëmbajtje, prapë se prapë unë si prokurore do të kundërshtoja pranimin e fajësisë, meqënëse kemi të bëjmë me një vrasje të rëndë, ngase ka lidhshmëri dizpozitivi i parë me të dytin”, tha prokurorja Jusaj.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Ilir Rashkaj e refuzoi pranimin e pjesërishëm të fajësisë nga ana e të akuzuarit Gjokaj.

Paraprakisht, gjykatësi Rashkaj bëri të ditur se Prokuroria e Apelit ka refuzuar kërkesën për përjashtimin e prokurores Dëshirë Jusaj.

Përfaqësuesi i të dëmtarëve B.I dhe Sh.I., avokati Naim Rudari kishte kërkuar përjashtimin e prokurores Jusaj nga ky rast, me arsyetimin se nuk ka vepruar në mënyrë të paanshme dhe të drejtë.

Para kësaj, avokati Rudari deklaroi se nuk është i pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, mirëpo tha se nuk paraqet pengesë për vazhdimin e seancës fillestare.

“Brenda afatit të paraparë ligjor nuk kemi pranuar të gjitha materialet që disponon Prokuroria, përkundër asaj që do të duhet të kishim qasje shumë më herët, dhe të ishim ndihmës të Prokurorisë për të hetuar këtë çështje. Meqënëse lindën pakënaqësi mes nesh dhe punës së prokurores se shtetit, ne kemi marrë deri tani dy herë shkresat e lëndës dhe atë duke i kërkuar dhe arsyetuar që mungojnë”, tha ai.

Rudari shtoi se ende nuk e dinë se cilat nga shkresat ju mungojnë, mirëpo theksoi se raportin e obduksionit për dy të ndjerët, Prokuroria nuk ua ka dorëzuar palës së dëmtuar.

Ndërsa për këtë, prokurorja Jusaj tha se palët në procedurë janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës me kohë dhe shtoi se këtë mund ta vërtetojë se nga zyra e avokatit Rudari, janë pranuar të gjitha shkresat.

“Edhe pse raportet e autopsisë janë dorëzuar, e kam bërë kopje, të dy raportet e të ndjerëve, e që po ia dorëzoj tani në seancë përfaqësuesit të palës së dëmtuar”, tha Jusaj.

Pas kësaj, gjykatësi Rashkaj tha se përfaqësuesi i të dëmtuarit do të pajiset me shkresat e lëndës që i mungojnë, qoftë përmes gjykatës apo prokurorisë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të përpiluar më 18 dhjetor 2024, Gjergj Gjokaj dhe Zef Ademaj, akuzohen se më 25 qershor 2023 në rrugën “Qafa” në fshatin Madanaj, Komuna Gjakovë, në bashkëkryerje, me dashje privojnë nga jeta tani të ndjerët B.I., dhe H.I., për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme.

Në aktakuzë thuhet se në ditën kritike të pandehurit shkojnë me veturën e tyre nga fshati Zllakuqan në fshatin Madanaj, me të arritur tek panelet solare të kompanisë “Devolli”, e ndalojnë veturën përtej rrethojave, aty zbret vozitësi- i pandehuri Gjergj Gjokaj dhe ecë në këmbë anës së rrethojave afër tokës së viktimave, ndërsa i pandehuri Zef Ademaj shkon bisedon me rojën Viktor Lleshaj.

Më pas, thuhet se pas pak kohe me veturën kishin ardhur viktimat, me t’u takuar dhe menjëherë janë fjalosur mes vete dhe në fjalosje e sipër të pandehurit kanë shtënë me armë zjarri disa herë në drejtim të viktimave.

Bazuar në aktakuzë, thuhet se së pari nga jeta e privojnë tani të ndjerin B.I., brenda veturës, e më pas e privojnë vëllain e tij- tani të ndjerin H.I., i cili nga plagët e marra rrëzohet dhe bie në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kësaj i pandehuri Gjokaj hipë në veturë, ndërsa i pandehuri Ademaj me zë të lartë i thotë “ec hipi kerrit, ec grahi kerrit”, i cili nga ana e djathtë e veturës e hapë derën e parë dhe e nxjerrë të ndjerin B.I. dhe e gjuan në rrugë, pastaj dy të pandehurit ikin me veturë shpejt nga vendi i ngjarjes. Viktima H.I më pas ndërron jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Gjakovës, sipas raportit të autopsisë të Dr. Arsim Gërxhaliu.

Me këto veprime, Gjergj Gjokaj dhe Zef Ademaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në bashkëkryerje”, nga neni 173, par.1, pika 1.11, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal.

Në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, dy të pandehurit Gjokaj dhe Ademaj, kanë mbajtur në pronësi dhe kontroll armët- pistoletën e tipit “Crvena Zastava” pa karikator të kontaminuar me gjak.

Për këtë, secili veç e veç ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1, të Kodit Penal.