Deklarimi “shokues” i ministrisë së Mbrojtjes për vdekjen e Liman Musliut që pastaj u fshi, opozita: Shërbimi i ushtarit është nga djepi në varr
Vdekja aksidentale e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) njëherit pjesëtar i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK), Liman Musliu ka nxitur reagime të mëdha në vend. Këto reagime erdhën pasi i ndjeri humbi jetën aksidentalisht derisa sa po punonte në një objekt banesor në Prishtinë. Sipas informacioneve që ishin publikuar në këtë rast…
Lajme
Vdekja aksidentale e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) njëherit pjesëtar i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK), Liman Musliu ka nxitur reagime të mëdha në vend.
Këto reagime erdhën pasi i ndjeri humbi jetën aksidentalisht derisa sa po punonte në një objekt banesor në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ishin publikuar në këtë rast theksohej se Liman Musliu ishte duke punuar në ndërtimtari, ku si shkak edhe humbi jetën.
E si shkak i reagimeve të shumta se si shkaku i kushteve të vështira në FSK ai u “detyrua” të punojë edhe në ndërtimtari, nga Ministria e Mbrojtjes tentuan që të hiqnin fajin nga institucionet përkatëse.
Në lidhje me këtë çështje Ministria e Mbrojtjes doli me një sqarim “aspak serioz” e madje edhe në tentim për të sulmuar mediat por edhe duke tentuar që të “poshtërohej” figura e të ndjerit, transmeton lajmi.net.
Në njoftimin e kësaj ministrie thuhej se mediat e shfrytëzuan rastin të akuzojnë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, për pagesa të ulëta të pjesëtarëve të FSK-së, pasi i ndjeri kishte vdekur derisa ishte duke punuar në një objekt banesor në Prishtinë.
“Me këtë rast, këto media dhe portale shfrytëzuan rastin të akuzojnë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, për pagesa të ulëta të pjesëtarëve të FSK-së, e që gjoja sipas tyre, i ndjeri, z.Musliu, ka qenë i detyruar të punojë punë shtesë pas orarit, për të siguruar ekzistencën e tij dhe të familjes. Gjithashtu, në disa raste tjera është aluduar se i ndjeri vdiq në vendin e punës, pa cekur se ku konkretisht, e që gjithashtu shkakton paqartësi lidhur me vendin se ku ka vdekur. Këto media shfrytëzuan këtë fatkeqësi për keqinformim të qytetarëve, me lajme të njëanshme dhe qëllimkëqija”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim sipas kësaj ministrie thuhej se zyrtari Liman Musliu, me kontratë të FSK-së, ka qenë zyrtar civil, me nivelin A1 (koeficienti 5.2 dhe shtesat tranzitore në pagë për shërbyesit civilë të MM-së), derisa përmendet se njëjti ka qenë edhe përfitues i pensionit invalidor të UÇK-së, si dhe pensionit të TMK-së.
“I ndjeri nuk ishte pjesëtar i uniformuar i FSK-së”.
Ndërkaq nga kjo ministri kanë thënë se FSK dhe MM nuk kanë asnjë kompetencë dhe asnjë ndalesë se si pjesëtari i FSK-së, apo zyrtari civil e kalon pjesën tjetër të ditës, pas orarit të rregullt të punës, apo fundjavat.
“Në rastin konkret të nëpunësit Liman Musliu, marrëdhënia e punës e tij në FSK, si nëpunës civil nuk ndërlidhet me asnjërin kufizim të paraqitur në nenin 18 të Ligjit Nr. 06/L -011, për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”, thuhet në njoftim.
Por pak orë më vonë nga kjo ministri tentuan që të “fshihnin” atë që thanë, duke e larguar komplet publikimin. Pa dhënë asnjë arsye shtesë, Ministria e drejtuar nga Ejup Maqedonci e fshin postimin dhe madje nuk dha askush përgjegjësi për fjalët e thëna.
Për këtë çështje lajmi.net, ka kontaktuar me deputetin e kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj i cili tha se është zhgënjyese se si ministria i ka ikur përgjegjësisë për mirëqenien e ushtarëve.
Sipas tij pjesëtarët e FSK-së përfaqësojnë shtetin në çdo moment, edhe jashtë orarit zyrtar.
“Mospranimi i përgjegjësisë për aktivitetet e tyre private shpreh mungesë të vlerësimit dhe mbështetjes për sakrificat e tyre”, ka thënë Lekaj.
Pas publikimit të njoftimit nuk kaloi shumë kohë dhe (sqarimi) u fshi nga faqja e kësaj ministrie, ku për këtë deputeti i AAK-së është shprehur se largimi i njoftimit zyrtar ngre dyshime mbi transparencën e ministrisë.
“Largimi i njoftimit zyrtar është një tregues se ndoshta ata vetë e kuptojnë se deklarata ishte e papërshtatshme dhe e pa menduar mirë. Kjo ngre dyshime të mëdha mbi transparencën e ministrisë dhe përkushtimin e saj për t’u përballur me të vërtetën”, thotë tutje ai.
Lekaj tutje thotë se deklarata nga ana e ministrisë, se vet-ministria nuk ka kompetenca se çfarë bënë një ushtarë gjatë vikendit mund të përceptohet si mosrespektim për kontributin e dhënë nga ana e pjesëtarit të FSK-së.
“Ky lloj qëndrimi është poshtërues, jo vetëm për ushtarin që ka humbur jetën, por edhe për çdo pjesëtar tjetër të FSK-së. Një deklaratë e tillë mund të perceptohet si mosrespektim për kontributin dhe përkushtimin që pjesëtarët e FSK-së japin për vendin tonë”, thotë Lekaj.
Ndryshe ai ka thënë se sipas burimeve të ndryshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të cilët detyrohen të punojnë pas orarit për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve jo të mira të punës.
“Po, sipas burimeve të ndryshme, ka shumë zyrtarë që detyrohen të punojnë pas orarit për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve jo të mira të punës. Kjo është një situatë që kërkon urgjentisht ndërhyrje për të garantuar mirëqenien e personelit të FSK-së dhe për të siguruar që ata të jenë plotësisht të përkushtuar në rolin e tyre kryesor”, shprehet ai.
Ndryshe për këtë temë lajmi.net ka kontaktuar edhe me deputetin e kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, njëherit edhe anëtar i komisionit për çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Berisha ka ndarë mendim të njëjtë me Lekaj duke e quajtur deklaratën e ministrisë si të papërgjegjshme, pasi siç thotë ai pjesëtarët e FSK-së përfaqësojnë vendin në çdo moment pavarësisht nëse janë në shërbim apo jo.
“Deklarata e ministrisë më duket tërësisht e papërgjegjshme. Kur bëhet fjalë për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ata përfaqësojnë vendin tonë në çdo moment, pavarësisht nëse janë në shërbim apo jo. Ministria ka një detyrim moral dhe institucional të kujdeset për mirëqenien e tyre, si dhe për kushtet në të cilat ata punojnë”, thotë Berisha.
Tutje sipas tij puna dytësore duhet të jetë e lejuar me ligj dhe puna e çdo pjesëtari është në ditët e vikendit duhet të jetë e ditur për ministrinë.
“Kurse tendenca për t’u mbuluar me atë se pjesëtarë të forcës janë civilë e të uniformuar, nuk është mbuluesë pasi Ligji për Shërbim në Forcë bën ekuivalentimin e gradave me rangjet dhe në aspektin e përgjegjësisë, llogaridhënies, pasi mobilizimi i përfshinë të gjitha kategoritë”, ka thënë ndër të tjera Berisha.
Deputeti i PDK-së thotë se largimi i njoftimit nga ana e ministrisë ngre dyshime dhe e bënë situatën edhe më të dyshimtë, pasi sipas tij largimi i njoftimit është një pranim indirekt se diçka nuk ishte në rregull me qëndrimin e tyre.
“Ky është një akt që tregon mungesë transparence dhe përpjekje për të fshehur përgjegjësinë. Ministria duhet të kishte dhënë një shpjegim të plotë dhe të qëndronte pas deklaratës së saj, nëse besonte se kishte vepruar drejt”.
Ndryshe Berisha thotë se në këtë rast ka hapësirë edhe për hetim nga ana e Prokurorisë Speciale pasi siç thotë ai kemi të bëjmë me një situatë të formalizuar ligjërisht.
“Kjo përkon më shumë me efektin elektoral në emër të të cilit e kanë kalkuluar heqjen e qëndrimit dhe mos sqarimin e rrethanave të cilat e shtynë në humbje të jetës së pjesëtarit të Forcës. Këtu ka hapësirë për hetim nga Prokuroria Speciale, meqë kemi të bëjmë me situata të formalizuara ligjërisht”, ka thënë për lajmi.net Berisha.
Për lajmi.net Berisha shprehet se ministria nuk e ka nënçmuar dhe ofenduar vetëm ish-pjesëtarin e FSK-së por edhe ushtarët që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë.
“Të pretendosh se ministria nuk ka përgjegjësi për njerëzit që mbajnë uniformën e shtetit, qoftë edhe jashtë orarit të punës, është një mungesë respekti ndaj sakrificës dhe përkushtimit që ata tregojnë çdo ditë”.
Mes tjerash ai thotë se deklarata e lëshuar nga ana e ministrisë sugjeron se vlera e një ushtari është e kufizuar vetëm brenda orarit të punës, gjë për të cilën shprehet se është absurde dhe e padrejtë.
“Përkujdesi ndaj pjesëtarëve të Forcës është i ligjëruar mbi parimin e kujdesit përmes politikave të shërbimit “nga djepi, deri në varr”. Kapacitetet ushtarake të forcës ngriten mbi parimin e ushtrisë profesioniste “një herë ushtar, tërë jetën ushtar” ndaj ashtu siç janë në shërbim të sigurisë e mbrojtjes së vendit e popullit tërë jetën, ashtu edhe përgjegjësia e përkujdesi i shtetit për ta është i përjetshëm, edhe pas pensionimit si veteran i ushtrisë, e deri në ceremoninë e varrimit”, ka thënë Berisha.
Sipas Berishës ka raste të shumta kur pjesëtarët e FSK-së detyrohen për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve jo të mira të punojnë edhe jashtë orarit për të siguruar edhe të ardhura shtesë.
“Kjo është një situatë shqetësuese që ndikon direkt moralin dhe përkushtimin e ushtarëve tanë. Nuk mund të jetë në nivelin e përgjegjësisë e motivimit të ushtarëve profesionistë, nëse detyrohet që pas orarit zyrtar në shërbim të kryejë punë dytësore i detyruar nga kushte sociale”.
Deputeti nga radhët e PDK-së, thotë se është nën nivelin e dinjitetit të ushtarakut të detyrohet të punojë punë te tjera jashtë asaj për të cilën është i përcaktuar.
“Është nën nivelin e dinjitetit të ushtarakut të detyrohet të punojë roje kazinosh e diskotekash, shpërndarës picash apo taksi (çka e kam përjetuar vetë, ku trajtohet nën nivelin e edukimit ushtarak nga punëdhënës që nuk e nderojnë por e poshtërojnë nëse e krahasojnë nivelin e patriotizmit shtetëror që i karakterizon njerëzit në uniformë, çizme dhe nën armë”, është shprehur ai.
Ndërkaq sipas tij kjo situatë është një dështim i politikave, ku thotë se pjesëtarët e FSK-së duhet të mbështetën dhe t’ju përmirësohen kushtet e jetesës.
“Shteti duhet të kujdeset që ata që na mbrojnë dhe përfaqësojnë, të kenë kushte të dinjitetshme, që të mos kenë nevojë të kërkojnë burime të tjera të ardhurash për të mbajtur familjet e tyre. Familja e ngushtë e ushtarakut janë brengë e shtetit/ushtrisë qoftë për kushtet sociale, shëndetit, arsimit dhe akomidimit për banim. Në rast se bashkëshortja e ushtarakut ashtu si edhe bashkëshorti i ushtarakes nuk punon, detyrohemi në mbështetjen me pagë për përkujdesje të fëmijëve. Edhe sistemi i tatimit në të ardhura të pjesëtarit/es që shërben në Forcë determinohet nga statusi civil i tij/saj”, tha Berisha.
Edhe deputeti i kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni është pyetur sa i përket kësaj çështje, i cili njëherit është edhe anëtar në komisionin për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.
Quni për lajmi.net, ka thënë se është tronditëse fakti se pjesëtari i FSK-së, Liman Musliu i cili vdiq derisa po punonte në një objekt banesor në Prishtinë ka qenë i detyruar të punojë punë të tjera për të siguruar nevojat bazike të familjes.
Siç thotë ai Qeverisë i është kërkuar më herët trajtim më i dinjitetshëm i pjesëtarëve të sektorit të sigurisë, por sipas tij kjo kërkesë nuk është përfillur me arsyetime të ndryshme.
“Është fakt se një pjesë solide e zyrtarëve në uniformë punojnë edhe punë sekondare në Kosovë dhe jashtë vendit. Një pjesë e tyre punojnë në ndërtimtari, taksistë, sigurime fizike në lokale të ndryshme etj”, ka thënë Quni.
Tutje Quni thotë se pjesëtarët e FSK-së apo një zyrtar policor i cili duhet që kohën e lirë ta kalojë me familje, detyrohen që të punojnë edhe jashtë asaj për të cilën janë përcaktuar për shkak të gjendjes së dobët ekonomike.
“Ushtaraku apo polici i cili pas orarit të punës do të duhej që kohën e lirë ta kalojë me familje apo ndonjë aktivitet kulturor dhe sportiv, ai detyrohet që për shkak të gjendjes së dobët ekonomike, të sigurojë të ardhura me punë shtesë jashtë orarit dhe profesionit të tij”.
Sipas Qunit me një gjendje të tillë, Qeveria duhet të kuptojë se dobësohet performanca individuale e zyrtarëve të sigurisë e aq më shumë dobësohet edhe operacionaliteti i institucioneve dhe organizatave të sigurisë.
“Prandaj, Qeveria me urgjencë duhet të trajtojë dhe të zgjidhë problemet rreth mirëqenies së zyrtarëve në sektorin e sigurisë. Deklaratat e pamatura të autoriteteve përgjegjëse, janë arsyetime boshe për t’u ikur përgjegjësive dhe kështu rëndohet gjendja edhe më shumë”, është shprehur ai. /Lajmi.net/