Deklarimi i Kurtit se Prokuroria s’ka nevojë të jetë e pavarur nga Qeveria, reagon KPK: Subjektet politike mos të nxisin deklarime për sistemin prokurorial

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë thirrje publike ndaj të gjitha subjekteve politike dhe kandidatëve që gjatë fushatës zgjedhore që filloi më 28 maj 2026, të përmbahen nga deklaratat dhe retorika. KPK poashtu deklaroi se këto subjekte politike të mos përdorin dhe të mos nxisin në diskursin e tyre publik gjatë fushatës zgjedhore çështjet që…

Lajme

01/06/2026 16:00

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë thirrje publike ndaj të gjitha subjekteve politike dhe kandidatëve që gjatë fushatës zgjedhore që filloi më 28 maj 2026, të përmbahen nga deklaratat dhe retorika.

KPK poashtu deklaroi se këto subjekte politike të mos përdorin dhe të mos nxisin në diskursin e tyre publik gjatë fushatës zgjedhore çështjet që kanë të bëjnë me sistemin prokurorial në përgjithësi dhe me Këshillin Prokurorial të Kosovës në veçanti.

“KPK vlerëson se instrumentalizimi i çështjeve që lidhen me institucionet e drejtësisë për qëllime politike ose elektorale dëmton imazhin dhe besimin e publikut në sundimin e ligjit dhe në funksionimin e pavarur të sistemit prokurorial”,thuhet në reagim.

Po ashtu u theksua se KPK mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, në mbrojtjen e pavarësisë së sistemit prokurorial dhe në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Ndryshe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, në vazhdimësi ka pasur deklarime të shumta sa i përket prokurorit Blerim Isufaj.

Kurti ndër të tjerash e ka cilësuar Isufajn si njeri të padenjë për të qenë kryeprokuror i shtetit.

Përpos kësaj, sipas Kurtit, Prokuroria nuk ka nevojë që të jetë e pavarur nga Qeveria.

“Prokuroria nuk është e pavarur realisht nga Qeveria edhe në plot vende evropiane. Gjyqësori është ai. Por tash ne e kemi një situatë ku kemi njëfarë pushteti politik në Prokurori, i cili ia heq urdhërarrestin kryekriminelit Radojçiq”, deklaroi Kurti.

Kurti u shpreh kategorikisht kundër që ai të bëhet Kryeprokuror i Shtetit, madje, aludoi se edhe dikush po e shtyen Isufajn që të insistojë për ta marrë këtë pozitë.

“Unë po them që ky nuk bën [Blerim Isufaj]. Unë nuk po them ky duhet. 200 prokurorë i ka Kosova, asnjëherë nuk kam thënë se filani ose fistekja duhet të bëhen. Veç unë po them që ky nuk bën. Ky që e ka lëshu Radojiçiqin nuk bën. Ky ia ka heq urdhërarrestin Radojçiçit. Nuk bën ky me u bë Kryeprokuror”,deklaroi Kurti.

Madje, sipas Kurtit edhe vetë Isufaj “e di që nuk bën” të bëhet Kryeprokuror i Shtetit.

“Është shumë interesant që po insiston. Kush qëndron prapa atij personi që e shtyn të insiston, ose a është aq irracional saqë pavarësisht që tre krerët shtetërorë, publikisht janë deklaruar kundër tij, ai insiston të bëhet kryeprokuror. Thellësisht nuk është në rregull”, potencoi ai ndër të tjera./Lajmi.net/