Deklaratë “skandaloze”, Deliu: Nuk mundet një parti politike ta shantazhojë administratën

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar duke kritkuar komunikatën e publikuar mbrëmë nga Kuvendi. Ajo tha se përpjekjet e PDK-së në Kuvend kanë qenë të fokusuara në rikthimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, ndërsa komunikatën e fundit të Kuvendit e cilësoi si “skandaloze”. “Zhvillimet në Kuvend kanë qenë në përpjekjet tona për me rikthy ligjshmërinë…

Lajme

13/08/2026 09:19

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar duke kritkuar komunikatën e publikuar mbrëmë nga Kuvendi.

Ajo tha se përpjekjet e PDK-së në Kuvend kanë qenë të fokusuara në rikthimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, ndërsa komunikatën e fundit të Kuvendit e cilësoi si “skandaloze”.

“Zhvillimet në Kuvend kanë qenë në përpjekjet tona për me rikthy ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë. Kemi pa një komunikatë skandaloze të Kuvendit. Fatkeqësisht, Kuvendi është marrë peng prej një partie politike, e cila provon që përmes diktatit të nënshtrojë edhe administratën e Kuvendit”, tha Deliu-Kodra.

Duke iu referuar komunikatës së Kuvendit, ajo tha se në të thuhet se vizita në sallën plenare është ndërprerë për disa minuta pasi deputetë të PDK-së dhe AAK-së kishin zënë sallën plenare në një kohë kur nuk ishte thirrur asnjë seancë.

“Dua të ndaj me ju një shqetësim se ky Kuvend nuk është i një partie politike, por Kuvendi është dhe i takon të gjithë deputetëve të zgjedhur të parlamentit, që janë betuar në këtë parlament. Nuk mundet që një parti politike ta shantazhojë administratën e Kuvendit”, deklaroi ajo.

Deliu-Kodra bëri të ditur se për këtë çështje do të zhvillojë takim me sekretarin e Kuvendit, së bashku me dy kolegët e saj deputetë.

“Për këtë do të takohemi me sekretarin, bashkë me dy kolegët e mi, sepse ky institucion nuk guxon të merret peng nga një parti politike”, tha Deliu-Kodra.