Deklaratat përfundimtare në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve caktohen për 9-18 shkurt
Nga 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Lajmi është konfirmuar sot përmes një njoftimi zyrtar për media…
Lajme
Nga 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Lajmi është konfirmuar sot përmes një njoftimi zyrtar për media nga Dhomat e Specializuara, të cilat kanë bërë të ditur se seancat do të zhvillohen çdo ditë nga ora 09:00 deri në 16:30, transmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit, seancat e deklaratave përmbyllëse do të transmetohen publikisht, njësoj si të gjitha seancat e mëparshme të këtij procesi gjyqësor, i cili ka nisur tash e gati pesë vjet më parë.
Deklaratat përmbyllëse shënojnë një fazë kyçe të procesit, gjatë së cilës palët paraqesin qëndrimet e tyre përfundimtare para trupit gjykues, para se gjykata të tërhiqet për shqyrtim dhe të marrë vendimin përfundimtar.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është një nga proceset më të ndjekura dhe më të ndjeshme në Dhomat e Specializuara, duke pasur interes të madh publik në Kosovë dhe më gjerë. /Lajmi.net/