Deklarata e Zelenskyt për Kosovën tërheq vëmendjen e medias ukrainase
Media ukrainase e ka pasqyruar gjerësisht deklaratën e presidentit Volodymyr Zelensky si një rikonfirmim të qëndrimit të pandryshuar të Ukrainës për Kosovën, duke theksuar respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë. Raportimet vënë në dukje se Ukraina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht mbështetjes së saj për integritetin territorial të Ukrainës…
Lajme
Media ukrainase e ka pasqyruar gjerësisht deklaratën e presidentit Volodymyr Zelensky si një rikonfirmim të qëndrimit të pandryshuar të Ukrainës për Kosovën, duke theksuar respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.
Raportimet vënë në dukje se Ukraina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht mbështetjes së saj për integritetin territorial të Ukrainës dhe afrimit me strukturat evropiane.
Agjencia zyrtare ukrainase e lajmeve Ukrinform
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se qëndrimi i Ukrainës për Kosovën mbetet i pandryshuar dhe Ukraina respekton sovranitetin territorial të Serbisë.
Zelensky theksoi se Ukraina respekton integritetin territorial të partnerëve të saj dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe për këtë arsye qëndrimi i saj në lidhje me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar. Ai shtoi se Ukraina e kishte theksuar gjithmonë këtë qëndrim dhe se politika e saj nuk kishte ndryshuar.
Në të njëjtën kohë, ai tha se ishte mirënjohës ndaj partnerëve të Ukrainës për respektimin e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial, duke përfshirë njohjen e Krimesë si pjesë të Ukrainës.
Gazeta ”The Kyiv independent”
Me titullin ”Kosova duhet të respektohet – Flamuri ukrainas i hequr nga ndërtesa në Kosovë pas vizitës së Zelenskyt në Serbi që ndez polemika” kjo gazetë e ka trajtuar deklaratën e Zelenskyt si rikonfirmim të mosnjohjes së Kosovës, duke vënë theks të veçantë te reagimet negative në Prishtinë dhe te dimensioni politik i afrimit të presidentit ukrainas me Serbinë.
“Shteti i Kosovës duhet të respektohet”, tha kryetari i bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama, në një postim në Facebook ku shfaqej një video e heqjes së flamurit.
“Kur Kosova nuk respektohet, Prishtina përgjigjet!”, theksoi ai.
Gazeta ”Ukrainska Pravda”
Me titullin ”Flamuri ukrainas hiqet nga ndërtesa në qendër të Prishtinës: Kosova duhet të respektohet” kjo gazetë e paraqet ngjarjen duke vënë theksin te reagimi i Prishtinës ndaj deklaratës së Zelenskyt, konkretisht heqja e flamurit ukrainas dhe kritika se politika nuk duhet të bazohet në cenimin e shtetësisë së Kosovës./atsh