​Deklarata e Trump shihet si mbështetje e vazhdueshme e SHBA-së ndaj Kosovës

Kosova, ndonëse nuk ishte e pranishme me delegacion zyrtar, mori vëmendje në Samitin e NATO-s në Hagë, mbajtur më 24-25 qershor. Presidenti amerikan Donald Trump përmendi sërish Kosovën, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara “kanë ndaluar luftën mes Kosovës dhe Serbisë”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë e kanë pasur Kosovën në qendër të vëmendjes,…

Lajme

26/06/2025 19:10

Kosova, ndonëse nuk ishte e pranishme me delegacion zyrtar, mori vëmendje në Samitin e NATO-s në Hagë, mbajtur më 24-25 qershor.

Presidenti amerikan Donald Trump përmendi sërish Kosovën, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara “kanë ndaluar luftën mes Kosovës dhe Serbisë”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë e kanë pasur Kosovën në qendër të vëmendjes, duke mos lejuar që Serbia të ndërmarrë akte agresioni ndaj saj, thonë në Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas kësaj partie, e cila doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, deklarata e presidentit amerikan në margjinat e Samitit të NATO-s, se “kanë ndaluar Serbinë të ndërmerrte veprime”, është me rëndësi të madhe në aspektin e sigurisë.

Megjithatë, sipas tyre, edhe institucionet e Kosovës janë gjithmonë vigjilente.

Përmendja e vazhdueshme e Kosovës nga Trump, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, është tregues i ri-konfirmimit të mbështetjes amerikane ndaj Kosovës.

“Unë nuk mendoj se në formacionet zyrtare ushtarake, me ushtri apo luftë konvencionale, do të kishim një situatë të tillë kur Serbia sulmon Kosovën. Sulmet nuk janë vetëm të këtij lloji, pasi kemi edhe sulme si ato që kanë ndodhur në Banjskë – sulme që drejtohen përmes mjeteve të ndryshme. Në këtë kuptim, konsideroj se jo vetëm Trump, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë e kanë pasur Kosovën në qendër të vëmendjes, duke mos lejuar që Serbia të ndërmarrë veprime të tilla. Institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme për rreziqet që mund të vijnë nga Serbia. Siç po e shihni, Policia e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme gjen armë të strukturave paralele dhe bandave në veri. Ne nuk mund të mohojmë që në të ardhmen mund të vijë një sulm i çfarëdo lloji nga Serbia. Por meqenëse kemi mësuar nga e kaluara dhe kemi përvojën e duhur, çdo sulm që mund të ndërmarrë Serbia, sigurisht që do të zbrapset më pas”, thekson ai.

Në Institutin Octopus thonë se Serbia ka përgatitur opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, sidomos pas luftës Izrael-Iran, duke pretenduar se nëse do të vepronin menjëherë kundër Kosovës, do ta merrnin atë pa u vënë re kjo çështje në arenën globale.

Hulumtuesi Gurakuç Kuçi, deklaron për KosovaPress se presidenti i SHBA-së flet në bazë të inteligjencës amerikane. Sipas tij, informacionet tregojnë se, Serbia ka qenë e gatshme të niste luftë në Kosovë dhe të kryejë invazion edhe ndaj Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi.

“Serbia nuk ka qenë e gatshme të fillojë luftën vetëm kundër Kosovës, por ka pasur për qëllim të bëjë invazion edhe ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi. Këto kanë qenë pjesë e planeve të saj, dhe fokusi i Serbisë ka qenë në tri drejtime: Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi. Po ashtu, ka ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë me ndihmën e Rusisë edhe në Maqedoninë e Veriut. Ata kanë bërë përpjekje që përmes luftës hibride të krijojnë rrethana që do të justifikonin një invazion ndaj secilit shtet veç e veç. Këto informacione i ka inteligjenca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët e vlerësojnë saktë çështjen e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Trump ka disa muaj që ka ardhur në pushtet, dhe ne po flasim për një kërcënim të ri që Serbia ka bërë ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera pas ardhjes së tij në detyrë. Kërcënime të tilla Serbia i ka pasur të hapura edhe në kohën e Biden… Kur filloi lufta ndërmjet Izraelit dhe Iranit, Serbia menjëherë nisi një propagandë të re. Ata provokuan dhe nxitën publikun e tyre me idenë se, nëse do të vepronin menjëherë kundër Kosovës, do ta merrnin atë pa u vërejtur kjo çështje në arenën globale. Ata, sigurisht, nuk kanë menduar për Kosovën në tërësi, por vetëm për veriun e saj, pasi ai është synimi i tyre,” tha Kuçi.

Në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë, çështja e Kosovës u përmend edhe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

I pari theksoi se NATO vazhdon të jetë e përqendruar në rajon përmes trupave të saj në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë. Ndërkaq, presidenti turk Erdogan deklaroi se, për sa kohë që KFOR-i turk është i vendosur në veri të Kosovës, ai shpreson të mos ketë ndonjë problem./KP