Deklarata e ambasadorëve Rohde dhe Guerot për Asociacionin, reagon deputeti i VV-së

Ambasadorët e Gjermanisë dhe të Francës në Prishtinë kanë përsëritur kërkesën e qartë nga Berlini dhe Parisi që Kosova të ndërmarrë hapin konkret të dërgimit të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese. “E kemi bërë të qartë pozitën tonë; e duam Kosovën në Këshillin e Evropës sa më shpejt që…

Lajme

23/05/2025 08:57

Ambasadorët e Gjermanisë dhe të Francës në Prishtinë kanë përsëritur kërkesën e qartë nga Berlini dhe Parisi që Kosova të ndërmarrë hapin konkret të dërgimit të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese.

“E kemi bërë të qartë pozitën tonë; e duam Kosovën në Këshillin e Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur. Por kjo varet nga hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë, ashtu siç janë përshkruar në letrën e vitit të kaluar nga presidenti Macron, kancelari Scholz dhe kryeministrja Meloni. Pra, topi është në fushën e Kosovës. Dërgojeni draftin në Gjykatën Kushtetuese,” deklaroi ambasadori gjerman Jorn Rohde për Klan Kosova.

Kjo kërkesë, që u përmend fillimisht në letrën e përbashkët të liderëve evropianë vitin e kaluar, tashmë është shndërruar në një kusht politik për përparimin e mëtejshëm të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Qëndrimi i dy shteteve kyçe të BE-së vjen në një kohë kur në skenën politike të brendshme në Kosovë vazhdon të mungojë konsensusi për çështjen e Asociacionit dhe po ashtu ka krizë për formimin e institucioneve gjë e cila edhe më shumë e pamundëson dërgimin e një çështje të tillë në Kushtetuese, për shkak se vendi nuk ka qeveri aktive dhe nuk ka institucione të zgjedhura.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka folur pas deklaratave të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, dhe ambasadorit të Francës, Olivier Guerot, të cilët theksuan se qëndrimi i Berlinit dhe Parisit është i qartë dhe se Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë për ta dërguar draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Në reagimin e tij, deputeti Thaçi theksoi se Asociacioni, ashtu siç është konceptuar, bie ndesh me karakterin multi-etnik të Republikës së Kosovës dhe përbën rrezik për funksionalitetin e shtetit.

“Asociacioni është marrëveshje që është nënshkruar nga ish-kryeministrat e asaj kohe, por pavarësisht kësaj edhe ambasadorët e dinë se me një Republikë multi-etnike nuk mund të bësh Asociacion një etnik, ose për ndryshe duhet me u pyet kushtetuta edhe me e shpallë Republikë një etnike,” u shpreh Thaçi për FrontOnline.

Ai shtoi se themelimi i një Asociacioni me bazë etnike është i papranueshëm dhe i rrezikshëm për sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit.

“Asociacioni është i pamundshëm, e defunksionalizon Republikën e Kosovës. Si LVV dhe unë personalisht si deputet do të angazhohem e do e jap maksimumin që asociacion një etnik mos të ketë në Kosovë,” tha më tej ai.