“Deficiti tregtar në janar 2026 arriti në 365,9 milionë euro”- Ndryshohet bilanci tregtar në janar, ASK jep detaje
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën të ditur se tregtia e jashtme e mallrave në muajin janar 2026 ka shënuar rënie të deficitit tregtar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas ASK-së, deficiti tregtar në janar 2026 arriti në 365,9 milionë euro, që paraqet rënie prej 11,6% krahasuar me janarin e…
Lajme
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën të ditur se tregtia e jashtme e mallrave në muajin janar 2026 ka shënuar rënie të deficitit tregtar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, deficiti tregtar në janar 2026 arriti në 365,9 milionë euro, që paraqet rënie prej 11,6% krahasuar me janarin e vitit 2025, kur deficiti ishte 414,1 milionë euro. Shkalla e mbulimit të importit me eksport ishte 14,1%.
ASK bën të ditur se eksporti i mallrave në janar 2026 arriti vlerën 60,2 milionë euro, duke shënuar rritje prej 0,8% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025. Ndërkohë, importi arriti në 426,1 milionë euro, me rënie prej 10,1%.
Sipas të dhënave të publikuara nga ASK, në strukturën e eksporteve pjesëmarrjen më të madhe e kishin metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 21,9%, pasuar nga produktet minerale me 11,9%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11,8%, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 11,4%, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 9,0% dhe tekstili me 7,6%.
Ndërkaq, në strukturën e importeve dominuan produktet minerale me 17,6%, mjetet e transportit me 12,8%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11,4%, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 10,4%, si dhe metalet bazë me 8,1%.
Sa i përket partnerëve tregtarë, ASK bën të ditur se eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 19,0 milionë euro, ose 31,6% të eksporteve të përgjithshme, me rënie prej 15,6%. Partnerët kryesorë në BE ishin Gjermania, Italia dhe Holanda. Importet nga BE-ja arritën në 162,5 milionë euro, ose 38,1% të importeve totale, me rënie prej 20,5%, ku Gjermania, Italia dhe Polonia kishin pjesëmarrjen më të lartë.
Eksportet drejt vendeve të CEFTA-s arritën në 27,0 milionë euro, ose 44,8% të totalit, me rritje prej 11,8%. Partnerët kryesorë ishin Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi. Importet nga CEFTA arritën në 63,6 milionë euro, ose 14,9% të importeve, me rënie prej 23,9%.
Ndërkohë, eksportet me vendet e tjera arritën në 14,2 milionë euro, ose 23,6% të totalit, ku Zvicra dhe Turqia ishin partnerët kryesorë. Importet nga këto vende arritën në 200,0 milionë euro, ose 46,9% të importeve të përgjithshme, me Kinën dhe Turqinë si vendet me pjesëmarrjen më të lartë.