Deficiti tregtar mbetet i pandryshuar në nëntor, kjo është vlera e eksportit
Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 0,0 për qind në muajin nëntor 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 469,9 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 470 milionë euro në vitin 2024. Kështu bën të ditur Agjencia e…
Lajme
Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 0,0 për qind në muajin nëntor 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 469,9 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 470 milionë euro në vitin 2024. Kështu bën të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila njofton se eksporti mbulon importin me 15,7%.
Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin nëntor 2025 kishte vlerën 87,7 milionë euro, ndërsa importi 557,6 milionë euro, që është një rënie prej 9,5 për qind për eksport, si dhe një rënie prej 1,6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 20,3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15,4% e përbëjnë produktet minerale; 11,2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,2% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 6,4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; etj. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 13,3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13,0% e përbëjnë produktet minerale; 12,4% e përbëjnë mjetet e transportit; 9,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj”, thuhet në raportin e ASK-së.
Po ashtu ASK bën të ditur se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 26,6 milion Euro, ose rreth 30,3% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-20,9%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,7%), Italia (2,9) dhe Holanda (2,7%), etj.
Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 240,3 milion Euro, ose 43,1% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 0,9%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,6%), Italia (5,3%), Polonia (3,8%), etj.
Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 42,8 milion Euro, ose 48,8% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-6,1%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (18,2%), Maqedonia e Veriut (16,2%), Serbia (7,0%), Mali i Zi (6,0%), etj.
Kurse, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 76,5 milion Euro, ose 13,7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 6,2%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,5%), Shqipëria (3,9%), Serbia (3,6%).
“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 18,3 milion Euro, ose 20,9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (11,1%) dhe Turqia (3,9%). Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 240,8 milion Euro, ose 43,2%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,9%) dhe Kina (12,2%)”, njofton ASK.
