Deçani nderon dy nëna fisnike – marrin mirënjohje për mbështetjen e UÇK-së
Kuvendi Komunal i Deçanit ka mbajtur seancë solemne në prag të festës së 28 Nëntorit. Me çmimin “Mirënjohje Qyteti” janë nderuar Hate Rexhaj dhe Feride Hajdinaj për kontributin dhe kujdesin ndaj ushtarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë. Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se 28 Nëntori është ditë madhështore dhe historike. “Në…
Lajme
Kuvendi Komunal i Deçanit ka mbajtur seancë solemne në prag të festës së 28 Nëntorit. Me çmimin “Mirënjohje Qyteti” janë nderuar Hate Rexhaj dhe Feride Hajdinaj për kontributin dhe kujdesin ndaj ushtarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se 28 Nëntori është ditë madhështore dhe historike.
“Në vigjilje të një date që është madhështore, është historike na kujton vitin e largët 1444 që është Skënderbeu, e vitit 1912 që është Ismail Qemali dhe ngritja e flamurit në Vlorë, vitin 1955 që është ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari e po ashtu sot 28 vite më herët në një aksion të policisë të paramilitarëve serbë, të cilët ishin nisur në drejtim të heroit të kombit Abedin Rexhaj, rrugës në këtë destinacion hasin në një organizim të befasishëm nga komandi legjendar Adem Jashari, në Llaushë ku në shenjë hakmarrjeje gjuhet edhe mbi shkollë edhe mbi civil, me ç’rast vdes mësuesi Halit Geci, e që me datën 28 në varrimin e mësuesit bëhet edhe dalja publike e UÇK-së nga tre gjeneralë, ku tash njëri është hero i kombit, Mujë Krasniqi. Rexhep Selimi i cili qëndron padrejtësisht në Hagë dhe gjenerali Daut Haradinaj”, ka thënë Ramosaj.
Në këtë seancë solemne janë nderuar me çmimin “Mirënjohje Qyteti” dy nëna shqiptare, Hate Rexhaj dhe Feride Hajdinaj për kontributin dhe kujdesin e ushtarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Hate Rexhaj ka falënderuar Komunën e Deçanit për këtë mirënjohje.
“Ju faleminderit për vlerësimin dhe mirënjohjen që po më bëni, në veçanti me rastin e kësaj feste të shumëfishtë të kombit shqiptar, siç janë Dita e Flamurit, po ashtu dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, dhe dita e daljes publike të UÇK-së. Lavdi dëshmorëve, respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata djem dhe vajza që luftuan për Kosovën dhe për lirinë e kombit. Ju dua shumë, ju jeni gjithçka për mua”, tha ajo.
Në seancë solemne foli Edhe Feride Hajdinaj, e cila u nderua me mirënjohje nga Komuna e Deçanit.
“Ju uroj Ditën e Flamurit, ju uroj ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, lavdi dëshmoreve të kombit”, tha ajo.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj tha se kontributi i tyre është jetësor dhe i pamatshëm.
“Është nder i veçantë për Kuvendin e Komunës, për Kryetarin e Komunës, zotëri Bashkim Ramosaj që sot të ndajë çmimin ‘Mirënjohje qyteti’ për dy gra fisnike, që me veprën e tyre e nderuan jo vetëm vetën dhe familjet e tyre, por gjithë Kosovën dhe kombin shqiptar. Zonjën Hate Rexhaj, e quajtur ‘tezja e UÇK-së’, një grua e urtë e cila u bë nënë, motër mikpritëse për ushtarët e UÇK-së, shtëpia e saj u bë shtëpi e luftës, strehë e sigurt, vend shprese, vend ku luftëtarët gjenin ushqimin, fjalë të mira, ngrohtësi dhe forcë shpirtërore, kontributi i saj ka qenë aq i madh sa ata që e përjetuan luftën e quanin me dashuri ‘Tezja e UÇK-së’, një emër që flet vet për atë se kush ishte dhe çka përfaqësonte ajo. Zonjën Feride Hajdinaj, një bijë tipike shqiptare e cila me përkushtim të jashtëzakonshëm u angazhua për të ndihmuar luftëtarët, duke dëshmuar se zemra e gruas shqiptare është po aq luftarake sa arma në duart e djemve tanë. Me veprimet e saj të heshtura, por jashtëzakonisht domethënëse ajo u bë bashkëluftëtare në çdo kuptim të fjalës, duke u kujdesur me ushqim, pastrim, ngrohtësi dhe duke mbështetur dhe duke i dhënë UÇK-së atë që lufta kërkonte më së shumti, humanizimin dhe përkushtim të sinqertë”, tha ai në seancë solemne.
Në disa sekuenca të shkurtra, janë shfaqur disa luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njësisë “Shqiponjat e zeza” teksa flasin për “tezen e UÇK-së”.
Ish-doktoresha e UÇK-së dhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka folur për kontributin e çmuar të Feride Hajdinaj, e cila u nderuar me çmimin “Mirënjohje Qyteti”.
“Unë isha pjesë e UÇK-së, isha pjesë edhe e brigadës 138 ‘Agim Ramadani’, te nëna Feride kam qëndruar shumë, kjo ishte edhe organizatore e një sulmi të parë mbi forcat serbe, kishte edhe familjarët në UÇK, ishin djemtë e nënës Feride, ishte burri i nënës Feride që ishin ushtarë të UÇK-së dhe gjithë ajo rrethinë që i kemi sot miq dhe që i nderojmë që e ruajnë këtë miqësi ”, ka thënë ajo.
Dalja e parë publike e UÇK-së u bë në varrimin e mësuesit Halit Geci. Ai u vra nga forcat serbe të cilët gjuajtën në drejtim të shkollës së fshatit, pa asnjë provokim.
Më 28 Nëntor të vitit 1912 është shpallur Pavarësia e Shqipërisë. Po ashtu, kjo ditë është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari/kp