Daut Haradinaj takon Hysen Gërvallën në Gjenevë: Njerëz të tillë janë motiv për të vazhduar rrugën e kombit

Daut Haradinaj, ka zhvilluar një takim në Gjenevë me veprimtarin e çështjes kombëtare Hysen Gërvalla, vëllain e heronjve Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e ka vlerësuar Hysen Gërvallën si një figurë të rëndësishme të veprimtarisë kombëtare, duke theksuar kontributin e tij ndër vite për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.…

Lajme

23/06/2026 10:55

Daut Haradinaj, ka zhvilluar një takim në Gjenevë me veprimtarin e çështjes kombëtare Hysen Gërvalla, vëllain e heronjve Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e ka vlerësuar Hysen Gërvallën si një figurë të rëndësishme të veprimtarisë kombëtare, duke theksuar kontributin e tij ndër vite për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Të rrallë janë njerëzit që një jetë ia kushtojnë atdheut, dhe të tillët janë motiv për të vazhduar rrugën e pakthyeshme të zhvillimit të kombit tonë, kudo që jetojmë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se takimi me Gërvallën në Gjenevë ka qenë një moment i veçantë, duke shprehur vlerësimin e tij për familjen Gërvalla dhe rolin e saj në historinë e Kosovës.

“Familja Gërvalla me krenari vazhdon ta mbajë gjallë flakadanin e krenarisë dhe sakrificës kombëtare”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Gjenevë, së bashku me Arsimin dhe Bujarin, ka kaluar disa momente me Hysen Gërvallën dhe familjen e tij, duke theksuar respektin për ata që, sipas tij, nuk kursyen asgjë për lirinë e Kosovës. /Lajmi.net/