Daut Haradinaj: Kurti përçau shqiptarët në rajon
Koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët, ka mbajtur sonte tubim elektoral në Fushë Kosovë. Në mungesë të Ramush Haradinajt, kandidatit për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese i cili ndodhet për vizitë në SHBA, nënkryetari i AAK-së Daut Haradinaj akuzoi liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti se gjatë qeverisjes së tij ka përçarë shqiptarët në rajon. “Kjo qeveri…
Lajme
Koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët, ka mbajtur sonte tubim elektoral në Fushë Kosovë.
Në mungesë të Ramush Haradinajt, kandidatit për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese i cili ndodhet për vizitë në SHBA, nënkryetari i AAK-së Daut Haradinaj akuzoi liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti se gjatë qeverisjes së tij ka përçarë shqiptarët në rajon.
“Kjo qeveri e meriton kartonin e kuq. Meriton kartonin e kuq edhe për një arsye tjetër. Përveç që s’bëri asgjë për Kosovën, nuk është e tepërt të themi se qysh e kemi gjendjen në Luginë, si përçau vëllezërit dhe motrat tona në atë pjesë. Sot i kemi pikë e pesë shqiptarët andej… Nuk është e tepërt të themi edhe ndërhyrjen e tij kundër liderëve të UÇK-së në Maqedoni të Veriut. Me vetëdije të plotë shkon dhe ndërhyn atje dhe lut Mickovskin për të hequr UÇK-në prej pushteti. Ai e hoqi prej pushteti, por i ktheu shqiptarët në vitin 2001…. Me Shqipërinë na prishi, atje ka shkuar vetëm dy herë, ndërsa në Greqi mbi 30 herë”, tha Haradinaj.
Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se në koalicionin Kosova Fituese ka njerëz të veprave që kanë lënë gjurmë në shtet-ndërtimin e Kosovës.
“Ne bashkoheni për një Kosovë fituese, ne rreshtohemi për një Kosovë fituese. Ne jemi këtu dhe gjithkund në Kosovë ku po i ftojmë qytetarët të bashkohen rreth këtij projekti të madh. Brenda koalicionit tonë ka plotë kandidatë të profesioneve të ndryshme me një biografi atdhetare, profesionale. Koalicioni ynë nga fillimi deri në fund është vepra. Njerëz me vepra të mëdha që kanë lënë gjurmë në transformimin dhe ndërtimin e Kosovës”, tha ai.
Votën e qytetarëve të Fushë Kosovës e kërkuan edhe kandidatët për deputetë të këtij koalicioni nga ky qytet.
Kujtojmë, 11 janar ka nisur fushata për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të cilat mbahen për herë të parë brenda afatit të rregullt.