Daut Haradinaj godet Qeverinë: Kosova kurrë më larg Shqipërisë, Serbia kurrë më e pranishme se sot

Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar sërish ashpër ndaj Qeverisë lidhur me kontratën për riparimin e vagonëve të trenit, e cila, sipas tij, i është dhënë një kompanie nga Serbia. Haradinaj ka deklaruar se ndikimi i Serbisë në Kosovë është rritur ndjeshëm, duke e lidhur këtë me zhvillimet në sektorët ekonomikë dhe energjetikë. “Që…

Lajme

24/08/2026 16:36

Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar sërish ashpër ndaj Qeverisë lidhur me kontratën për riparimin e vagonëve të trenit, e cila, sipas tij, i është dhënë një kompanie nga Serbia.

Haradinaj ka deklaruar se ndikimi i Serbisë në Kosovë është rritur ndjeshëm, duke e lidhur këtë me zhvillimet në sektorët ekonomikë dhe energjetikë.

“Që nga çlirimi e deri më sot, asnjëherë më parë nuk kemi qenë më larg Shqipërisë, dhe asnjëherë më parë prania dhe ndikimi i Serbisë nuk kanë qenë më të theksuar brenda Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, qeverisja aktuale po e dëmton sovranitetin e vendit dhe po krijon hapësirë për ndikim nga Beogradi.

“Ky regjim në ikje po i ngjason gjithnjë e më shumë një ‘Qeverie Krahinore’ nën hijen e Beogradit, sesa udhëheqjes së një shteti sovran, të pavarur e dinjitoz”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka hedhur akuza edhe për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen sovraniteti ekonomik, energjetik dhe institucionet e Kosovës.

“Kur sovranitetin ekonomik dhe atë energjetik ia dorëzon në duar Vuçiqit, dhe pavarësinë politike e trajton si një leckë duke shkelur ligjin, Kushtetutën e vendit, çfarë mund të pritet më shumë nga këta njerëz?!”, ka shkruar ai.

Ai ka akuzuar drejtuesit e institucioneve se, sipas tij, përdorin retorikë patriotike, ndërsa veprojnë në kundërshtim me interesat e Kosovës.

Në fund, Haradinaj ka paralajmëruar se, sipas tij, kjo situatë do të marrë fund dhe se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

“Askush nuk është mbi ligjin, e aq më pak mbi Kushtetutën”, ka shkruar ai, duke shtuar se “gjithsecili sabotues dhe argat brenda këtij sistemi të dështuar” do të japë llogari “para ligjit dhe para historisë”.

Deklaratat e Haradinajt vijnë në kohën kur kontrata për riparimin e vagonëve të trenit ka nxitur debat të gjerë politik në Kosovë. /Lajmi.net/