Daul: LDK do t’i fitojë zgjedhjet

Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i fitojë zgjedhjet e 8 qershorit në Kosovë, ashtu siç fituan Partitë Popullore Evropiane në BE, ka thënë Joseph Daul.

Lajme

29/05/2014 14:29

Presidenti i Grupit të Partive Popullore Evropiane (PPE), Joseph Daul, ka thënë se pas fitore së PPE-së në zgjedhjet e javës së kaluar në Parlamentin Europian edhe Lidhja Demokratike e Kosovës si pjesë e këtij grupi, do t\’i fitojë zgjedhjet në Kosovë.

Ai në një shkrim në llogarinë e tij në Tweeter, është shprehur se vetëm Isa Mustafa mund të bëj reforma të thella, në mënyrë që Kosova ta ketë vendin e merituar në Evropë.

“Partitë Popullore Evropiane fituan në Bashkimin Evropian, por edhe LDK do të fitojë në Kosovë. Familja e partive tona janë të përgjegjshme sepse ne e realizojmë atë që e premtojmë”.

“Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është i vetmi që si kryeministër i Kosovës mund të bëjë reforma të thella dhe ta forcojë vendin e Kosovës në Evropë. PPE i jep mbështetje të plotë LDK-së në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Është koha për ndryshim dhe për një Kosovë moderne”, ka shkruar Presidenti Daul në llogarinë e tij në Tweeter.

Në hapje të fushatës zgjedhore të LDK-së, që u mbajt mbrëmë në Prishtinë, Presidenti i Grupit të PPE, e ka deleguar për t\’i dhënë mbështetje LDK-së, njërin nga eurodeputetët më të njohur në BE dhe ish-kryeministrin e Sllovakisë, Mikuláš Dzurinda, i cili është zgjedhur në fundi edhe drejtor i Qendrës për Studime Evropiane.