Dalin përgjime tronditëse për vdekjen e Matthew Perry

Doktori në fjalë përballet me një dënim maksimal deri në 40 vite burg Një nga mjekët që dyshohet se i dha ketaminë aktorit të famshëm, Matthew Perry, pak para vdekjes së tij, ka pranuar fajësinë. Prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se Dr. Salvador Plasencia nga Kalifornia, pritet të…

ShowBiz

17/06/2025 19:21

Doktori në fjalë përballet me një dënim maksimal deri në 40 vite burg

Një nga mjekët që dyshohet se i dha ketaminë aktorit të famshëm, Matthew Perry, pak para vdekjes së tij, ka pranuar fajësinë.

Prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se Dr. Salvador Plasencia nga Kalifornia, pritet të deklarohet fajtor për katër akuza. Bëhet fjalë për ‘shpërndarje të paligjshme të ketaminës’, një substancë anestetike që përdoret edhe për trajtimin e depresionit, por që në doza të larta mund të jetë fatale.

Mediat e huaja shkruajnë se doktori përballet me një dënim maksimal deri në 40 vite burg.

Ndërkohë kujtojmë se aktori i serialit legjendar “Friends”, i njohur për rolin e Chandler Bing, u gjet i pajetë në tetor 2023 në vaskën e shtëpisë së tij në Los Angeles. Ai ishte 54 vjeç dhe kishte folur hapur për luftën me varësinë dhe depresionin.

Hetimet zbuluan një rrjet të tërë shpërndarësish dhe mjekësh që furnizonin Perry-n me ketaminë. Dokumentet tregojnë se Plasencia i kishte injektuar vetë drogën aktorit, në shtëpi dhe në parkingun e Akuariumit të Long Beach, si dhe kishte udhëzuar asistentin e tij se si ta përdorte. Ai gjithashtu shiste flakona shtesë për përdorim në shtëpi.

Në përgjimet mes tij dhe një mjeku tjetër që ka pranuar fajin, Dr. Mark Chavez, Plasencia e quante aktorin “idiot” dhe pyeste sa para do të ishte i gatshëm të paguante për drogën.

Ndërsa Perry kishte receta të ligjshme për ketaminë për trajtim mjekësor, prokurorët thonë se ai kërkonte sasi më të mëdha nga ato të autorizuara. Vetëm brenda dy javësh, nga 30 shtatori deri më 12 tetor 2023, mjeku Plasencia i ka shitur aktorit dhe asistentit të tij 20 flakona ketamine dhe disa shiringa.

Avokatët e mjekut nuk kanë bërë ende ndonjë koment publik për rastin. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të gjithë personat e përfshirë në këtë rrjet ilegal.