Dajaku me karrige për karrige – konflikt gjeneratash në LDK

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhuna pothuajse është prezente në çdo kuvend zgjedhor.

Lajme

17/06/2019 10:04

Tensionet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, janë shfaqur prej kur ka nisur procesi zgjedhor. Madje, situata në këtë parti ka eskaluar dhe në shumë degë e nëndegë po ndodhin përleshje fizike.

Një ditë më parë, në degën e tretë të LDK-së në Mat të Prishtinës pati grushte dhe sulme me karrige. Njëjtë ndodhi edhe në një nëndegë të qytetit të Ferizajt, ndërsa askush nga figurat e larta të LDK-së nuk u deklarua për media.

Kjo po ndodhë pasi, këto veprime të dhunshme, nuk po shihen shqetësuese nga vet partia. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa të shtunën që shkoi, i fajësoi partitë tjera pasi sipas tij persona nga subjekte të ndryshme dhe që s’janë anëtarë të partisë po i shkaktojnë incidentet.

Sipas njohësit të çështjeve politike, tensionet në këtë parti janë rritur për shkak të pakënaqësive dhe ambicieve.

Analisti, Shkodran Ramadani thotë se përleshjet në LDK po ndodhin edhe për shkak të ekzistimit të shumë fraksioneve.

“Këto përleshje ndodhin për shkak të ekzistimit të shumë fraksioneve të cilat janë zhvilluar viteve të fundit në LDK dhe që mendoj se janë formuar në kohën kur LDK pati vendosur të futet në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Siç e dimë ka pasur një pakënaqësi të disa figurave me peshë në LDK pas këtij vendimi, dhe tensione ka pasur edhe ne konventën e kaluar kur Isa Mustafa nuk e kishte lejuar Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën  të kandidonte. Me kalimin e kohës këto fraksione janë rritë e bashkë me to janë rritë edhe tensionet . Pas sëmundjes së Isa Mustafës, është dobësuar lidershipi i tij dhe kjo ka shkaktuar rritjen e ambicieve të figurave tjera të cilat duke e vërejtur dobësimin e Isa Mustafës kanë rritur pretendimet për lidership brenda LDK-së”, ka thënë Ramadani për lajmi.net.

Një arsye tjetër sipas tij, është që LDK në sondazhet e fundit ka dal njëra nga partitë e para ndërsa anëtarësia dhe strukturat e kanë nuhatur pushtetin, pasi dëshirojnë të marrin postet kryesore në mënyrë që më pas t’i shijojnë frytet dhe privilegjet që ua sjellë pushteti.

Ramadani ka theksuar se ekziston mundësia që në Konventën qendrore të LDK-së, të përsëritet skenari i vitit 2006.

“Një gjë e tillë mund të shfaqet edhe në konventën qendrore nëse figurat kryesore nuk arrijnë të bien dakord se si do të shpërndahen postet se kush do jetë kryetar i LDK-së, kush kandidat për kryeministër., etj. Nëse nuk shpërndahen mirë atëherë mund të rrezikojë që shume lehtë situata të eskalojë në dhunë madje të ketë njerëz të pakënaqur të cilët në fund mund të largohen nga partia. Nënkryetari Lutfi Hazri ka deklaruar se LDK-së nuk i konvenon të përsëritet një konventë e vitit 2006 në të cilën u patën rrah me karrige sikur tash vetëm se atëherë ka qenë më e rëndë, aludojë se një gjë e tillë mund të përsëritet nëse nuk ka një ujdi mes figurave kryesore të LDK-së, sepse LDK është shumë heterogjene, ka shumë grupacione dhe janë minimum tri gjenerata, është gjenerata më e vjetër e Isa Mustafës, pastaj e Lutfi Hazirit, Agim Veliut, Vjosa Osmani etj”.

Sipas tij, ka shumë mospajtime në mesin e të lartpërmendurve dhe nëse nuk menaxhohen mirë mund të përcillen edhe me dhunë, siç ndodhi mes Hazir Borovcit dhe Arban Abrashit – konflikt gjeneratash.

Theksojmë se askush nga LDK nuk e ka shpallur publikisht kandidaturën për të parin e partisë, përderisa Konventa qendrore pritet të mbahet ditëve në vijim. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Rrahje brutale ​në Kuvendin zgjedhor të LDK-së në Mat, s’mungojnë karriget