Daçiq vjen në Kosovë, do të takohet edhe me Thaçin

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq pritet të vijë së shpejti për një vizitë zyrtare në Kosovë, me ç’rast do të takohet edhe me homologun e tij, Hashim Thaçi. 

Lajme

24/12/2014 23:21

Ai ka thënë se vizitën nuk po e bën me ftesë të ministrit të Thaçi, por do të shkojë në Kosovë për të vizituar misionin e OSBE-së, si kryesues i OSBE-së gjatë vitit të ardhshëm, raporton e përditshmja serbe Novosti.

“Do ta vizitoj misionin e OSBE-së në Kosovë dhe me këtë rast do të takohem edhe me Thaçin. E kam në plan të vizitoj të gjitha misionet e kësaj organizate dhe me këtë rast do të shkojë edhe në Prishtinë. Kjo nuk është vizitë bilaterale”, ka thënë Daçiq për gazetën serbe, pa saktësuar se kur do të bëhet kjo vizitë.

Daçiq ka thënë se nuk do t’i dërgojë asnjë ftesë homologut të tij Thaçi për takimet e OSBE-së në Beograd, pasi që Kosova nuk merr pjesë në punimet e kësaj organizate, meqë nuk është pjesë e saj.