Daçiq rrëfen se si i ka qortuar serbisht politikanët shqiptarë në Maqedoni (Video)
Ministri serb i punëve të jashtme Ivica Daçiq ka folur lidhur me përvojën e tij që ka pasur me politikanët shqiptarë deri sa ka qëndruar në Maqedoni në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së.

Lajme
Në një intervistë për televizionin serb (RTS), Daçiq ka folur për një vizitë që ka realizuar në Maqedoni bashkë me komisaren e OSBE-së për pakicat, lidhur me konceptin e arsimit të integruar. Daçiq tregon se politikanëve shqiptarë fillimisht u ka thënë “unë nuk jam ndërkombëtarë, unë jam i juaji”, kurse më pas edhe i ka qortuar, transmeton lajmpress.
Me sa i kujtohet opinionit, gjatë qëndrimit në Maqedoni si përfaqësues i OSBE-së, Daçiq është takuar me zyrtarë shqiptarë në pushtet. Besojmë se është lehtë të supozoni se me kë ka biseduar Daçiq në gjuhën serbe.
“Si kryesues i OSBE-së unë kam qenë në Maqedoni dhe me mua ishte edhe komisarja për të drejtat e minoriteteve dhe ajo kishte konceptin e arsimit të integruar, që do të thotë shqiptarët dhe maqedonasit të shkojnë bashkë në shkollë. Kjo zgjati me orë. Dhe unë fillova të flas në gjuhën serbe pa përkthyes duke u thënë: shikoni unë nuk jam i bashkësisë ndërkombëtare, unë jam i juaji dhe mos më hidhni mua nga njëri skaj në skajin tjetër. Unë i di mirë këto finta. Më tregoni a e pranoni ju këtë apo nuk e pranoni. Shqiptarët thanë nuk e pranojmë. Pse maqedonasit nuk mësojnë shqip?”, ka thënë Daçiq duke rrëfyer për bisedat e tij me politikanët në fjalë.
