“Curri” nga muaji i kaluar në liri, Prokuroria s’ka bërë kërkesë për vazhdim të masës së sigurisë
Ismet Osmani i njohur si “Curri” i dyshuar për tentim vrasje, nga 17 shkurti 2025 gjendet në liri, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka bërë kërkesë për vazhdim të masës së sigurisë. Ismet Osmani i njohur si “Curri”, ishte dorëzuar më 19 nëntor 2024 në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për rastin ku po kërkohej për…

Lajme
Ismet Osmani i njohur si “Curri” i dyshuar për tentim vrasje, nga 17 shkurti 2025 gjendet në liri, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka bërë kërkesë për vazhdim të masës së sigurisë.
Ismet Osmani i njohur si “Curri”, ishte dorëzuar më 19 nëntor 2024 në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për rastin ku po kërkohej për tentim vrasje dhe të njëjtit më pas i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se më 29 janar 2025 Currit i ishte ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe i ishte zëvendësuar me paraqitje në stacionin policor deri më 17 shkurt 2025. Por, pas kësaj date nuk ka pasur kërkesë për vazhdim të masës.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, nga gjyqtari i procedurës paraprake jemi informuar se me vendimin PPRKR.nr.89/24 të datës 29.01.2025, të pandehurit I.O. i dyshuar për veprën penale Vrasje në tentativë i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe i është zëvendësuar me masën paraqitja në stacion policor deri me datën 17.02.2025. Pas këtij vendimi, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda nuk ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkesë për vazhdim të masës së sigurisë për të pandehurin I.O”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
“Curri” për shtatë muaj kishte urdhërarrest për përfshirje në tentim vrasje të ndodhur në prill 2024 në Graçanicë, në të cilin rast të dyshuar janë edhe djali i tij Armir Osmani, Mentor Beqiri e Behar Halili. Ndërsa, po hetohet edhe për falsifikim të raporteve mjekësore.
Ndryshe, “Curri” po gjykohet edhe për fajde, në të cilin rast kishte munguar edhe seancën e 1 korrikut 2024, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për t’ia revokuar masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro.
Por, Gjykata e Apelit pas kthimit dy herë në rivendosje, herën e tretë kishte vendosur të lë në fuqi masën e dorëzanisë, duke i besuar premtimeve të avokatit se Curri do paraqitej në seancën e caktuar më 8 tetor.
Në këtë rast, Ismet Osmani-Curri, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani akuzohen për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi”.
Në këtë seancë, avokati i “Currit”, Besnik Berisha kishte kërkuar përjashtimin e kryetares se trupit Gjykues, Medie Bytyqit. Mirëpo, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit. Këtë kërkesë, e refuzoi edhe Apeli.