Çun Lajçi-Kurtit: Mbaj premtimet se ato të 4 viteve të shkuara i harrove, ndaj mos i harro këto që po vinë
Artisti i njohur kosovar, Çun Lajçi ka reaguar ndaj deklarimeve përgjatë fushatës zgjedhore të kryeministrit, Albin Kurti. Lajçi në një postim të tij në Facebook tha se nuk është mençuri të flasësh keq për të tjerët vetëm për ta ngritur vetën, transmeton lajmi.net. Tutje ai tha se akuzat ndaj familjes Devolli ishin të panevojshme pasi…

Lajme
Artisti i njohur kosovar, Çun Lajçi ka reaguar ndaj deklarimeve përgjatë fushatës zgjedhore të kryeministrit, Albin Kurti.
Lajçi në një postim të tij në Facebook tha se nuk është mençuri të flasësh keq për të tjerët vetëm për ta ngritur vetën, transmeton lajmi.net.
Tutje ai tha se akuzat ndaj familjes Devolli ishin të panevojshme pasi në kompanitë e tyre punojnë me mijëra punëtorë që ushqejnë familje.
“Nuk pate nevojë në Pejën e Begollëve të flisje për “rrotat” e Ibrahim Devollit që ta zhbëje “kodrën” e t’birit, Blerimit, sepse deshte – s’deshte, në fabrikën e tij ushqehen mija familje dukagjinase e neve na duhet punësimi, jo migrimi! Na duhen edhe Shkëlqimi edhe Blerimi, mbase edhe më shumë dukagjinas, pejonë si i ati, që ndihmoi skamnorët ku mujti e ku s’mujti! “, ka shkruar Lajçi.
Lajçi i bëri thirrje kryeministrit ta ruajë qetësinë dhe të mos ketë ofendime gjatë tubimeve elektorale.
“Ruaje burrërinë e fisnikërinë ti farë Katërkolle, se kur ti ulësh brigjet, atëherë edhe prrojet bëhën të tmerrshme! Je fisnik, i ditun dhe patriot, i matun dhe i durueshëm, por mos të të rrëmbei turma, se atëherë s’dihet ku të përfundon masa! E masa është gjëja më e duhur kur t’bësh tribunin!
Mos u merr me shamjet e atyne që i ke kundër, po merru me mjaltin që mëkon shpirtin e njerëzve dhe mbaj premtimet nesër, se ato të 4 viteve të shkuara i harrove, ndaj mos i harro këto që po vinë në mandatin tjetër!
S’na duhen shamjet e këcnimet, se ato na i ngrehën vesht 20 vite dhe kurrë s’ditëm; – u bëmë gomerë apo lepuj!”, shkruhet ndër të tjerash në postimin e tij.
Në fund ai pati një këshillë për Albin Kurtin duke i thënë se ai duhet të ngritet mbi veten dhe të mos i denigrojë të tjerët pasi siç thotë ai ato “t’rrafshojnë me fushat e neve na duhen kodrat”.
“Ngritu mbi vetvetën jo mbi të tjerët dhe harro krahasimet e denigrimet, se ato t’rrafshojnë me fushat e neve na duhen kodrat! “, ka përfunduar Lajçi.
Kujtojmë që partitë politike kanë marrë gjobat e para nga PZAP për gjuhën e përdorur në fushatë elektorale./Lajmi.net/