Çudira shqiptare: Ministri Veliaj faturoi dasmën e vet si aktivitet kulturor

Ceremonia e martesës së ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, organizuar në kalanë e Gjirokastrës, është cilësuar prej tij si aktivitet kulturor.

Lajme

12/09/2014 14:06

Në  përgjigje të interesimit të ABC News, Ministria e Kulturës me korrektese brenda afateve vuri në dispozicion dokumentacionin për organizimin e ceremonisë martesore të ministrit të  Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj.

Ministri ka paguar 50 mijë lekë për marrjen me qira të të ambienteve të kalasë së Gjirokastrës, për ceremoninë martesore.

Që dasma e Erionit është një aktivitet kulturore, përcaktohet edhe në kontratë, ku thuhet se ajo synon të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, në funksion të komunitetit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit kulturor dhe me gjerë.

“Por pas kësaj dasme përjashtohet çdo mundësi që qytetaret e tjerë të organizojnë ceremoni martesore në objektet e trashëgimisë kulturore, sepse ato nuk janë një ngjarje e rëndësishme kulturore. Dasma e Ministrit po”, njofton ABC News.

Marrja me qira e objekteve kulturore bëhet sipas Ligjit të trashëgimisë së këtyre objekteve, ndërsa duke iu referuar pikave të ligjit, shihet se i vetmi kriter që ka plotësuar Erioni është ai i të qenit ministër. 

Ministri Veliaj nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për skandalin e përfolur në mediat shqiptare, ndërkohë që ka reaguar Partia Demokratike, duke e quajtur veprimin e Erionit si abuzim skandaloz me pozitën zyrtare.

“Abuzim i pastër me pushtetin, shpërdorim parash, vënia e infrastrukturës shtetërore në shërbim të interesave personale. Çfarë duhet të ndodhë më shumë, që Erion Veliaj të përgjigjet”, ka thënë Silvi Bardhi, koordinatore për media e Partinë Demokratike.