Covid-19 lë pasoja në mushkëri edhe tek ata që nuk kanë pasur simptoma

Një studim i fundit ka çuar në konkluzionin se COVID-19 mund të shkaktojë çrregullime në mushkëri edhe tre muaj pas infektimit.

Lifestyle

01/12/2020 22:26

Studimi u krye nga Universiteti i Oksfordit, tek 10 pacientë të infektuar me Covid dhe u vërejt se ata kanë pasur probleme me frymëmarrjen dhe lodhje deri në tre muaj pas infektimit. Gjatë studimit, ekspertët përdorën një teknikë të re të skanimit e cila është në gjendje të zbulojë dëme afatgjata të virusit, të cilat nuk mund të dallohen me teknikat tradicionale.

Prof.Fergus Gleeson, i cili udhëhoqi studimin e përdori këtë teknikë në dhjetë pacientë të moshës 19 deri në 69-vjeçare. Tetë nga dhjetë pacientët që morën pjesë në hulumtim patën probleme me frymëmarrjen dhe lodhje tre muaj pas infektimit, edhe pse asnjëri nuk kishte qenë në terapi intensive dhe në skanerin normal nuk tregohej ndonjë problem me mushkëritë.

Rezultatet e kanë shtyrë Prof Gleeson të planifikojë një test me deri në 100 persona për të parë nëse e njëjta gjë është e vërtetë për njerëzit që nuk ishin shtruar në spital dhe nuk kishin vuajtur nga simptoma kaq serioze. Ai po planifikon të punojë me mjekë të përgjithshëm për të skanuar njerëzit që kanë rezultuar pozitivë për Covid-19 për grupmosha të caktuara.