Covey: Thaçi fliste për demokraci, Kosova të ishte shumëpartiake – Rugova mungonte, i kishte lënë kolegët e tij në një situatë hutuese
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka vazhduar sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku dëshmitë i ka dhënë Jock Covey, ish-zyrtar i lartë i UNMIK-ut dhe dëshmitar i mbrojtjes për ish-presidentin Hashim Thaçi. Gjatë dëshmisë së tij, Covey është pyetur nga mbrojtja për kohën e përfundimit të konfliktit në Kosovë, për përplasjet e…

Lajme
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka vazhduar sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku dëshmitë i ka dhënë Jock Covey, ish-zyrtar i lartë i UNMIK-ut dhe dëshmitar i mbrojtjes për ish-presidentin Hashim Thaçi.
Gjatë dëshmisë së tij, Covey është pyetur nga mbrojtja për kohën e përfundimit të konfliktit në Kosovë, për përplasjet e mundshme pas 20 qershorit si dhe për rolin politik të Thaçit dhe mungesën e Ibrahim Rugovës në takime të rëndësishme.
Mbrojtja e Thaçit: Në kohën kur keni shërbyer në Kosovë, cila ishte data që ka përfunduar konflikti mes UÇK-së dhe serbëve?
Covey: “Konflikti më duket se ka përfunduar me largimin e serbëve më 20 qershor, nuk më kujtohet saktë, ka dokument për këtë. Zbatimi i këtij dokumenti i dha fund edhe konfliktit.”
Më tej, u pyet nëse kishte dijeni për ndonjë përplasje të armatosur pas kësaj date.
Mbrojtja e Thaçit: A keni pasur dijeni në lidhje me përplasje të armatosur pas 20 qershorit mes UÇK-së dhe forcave serbe?
Covey: “Jo, nuk jam në dijeni, ka pasur ndoshta përkime, por përleshje nuk janë raportuar te ne. Nuk e di se është gjuajtur me armë të gjata.”
Duke u ndalur në aspektin politik të angazhimit të Thaçit, mbrojtja kërkoi që Covey të komentonte përkushtimin e tij ndaj demokracisë.
Mbrojtja e Thaçit: A e keni kuptuar se z. Thaçi ishte angazhuar që Kosova të ishte shumëpartiake dhe demokratike?
Covey: “Në fakt për të qenë të saktë, ai e deklaroi këtë angazhim, është e vështirë të kuptoheshin se cilat gjëra thuheshin me zemër.”
Në fund, ai u pyet edhe për mungesën e liderit historik Ibrahim Rugova në një takim të rëndësishëm të asaj kohe.
Mbrojtja e Thaçit: A të kujtohet nëse keni pasur probleme të lidhura me përpjekjet e Rugovës të merrte pjesë në këtë takim?
Covey: “Rugova në atë kohë mungonte dhe nuk ishte fare në Kosovë dhe arsyet nuk i kemi kuptuar në atë kohë. Ai i kishte lënë kolegët e tij në një situatë hutuese.”/Lajmi.net/