Covey dëshmon në Hagë: Thaçi nuk kishte ndikim te komandantët e UÇK-së në terren

Në Dhomat e Specializuara të Hagës ka vijuar sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku në seancën e radhës ka filluar dëshminë e tij Jock Covey, i thirrur si dëshmitar i mbrojtjes në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi. Covey, i cili kishte shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së…

Lajme

30/09/2025 10:39

Në Dhomat e Specializuara të Hagës ka vijuar sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku në seancën e radhës ka filluar dëshminë e tij Jock Covey, i thirrur si dëshmitar i mbrojtjes në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Covey, i cili kishte shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën (UNMIK), dha një dëshmi që vë në pikëpyetje ndikimin e Hashim Thaçit në hierarkinë ushtarake të UÇK-së gjatë dhe pas luftës, raporton lajmi.net

Mbrojtja e Thaçit e pyeti dëshmitarin: “A mori pjesë z. Thaçi në takimet e fundit?”

Covey u përgjigj:

“Jo, ai nuk la përshtypje në atë kohë, nuk mori pjesë, në takimin e UÇK-së foli Agim Çeku.”

Më tej, Covey elaboroi situatën e marrëdhënieve mes Thaçit dhe komandantëve në terren.

“Pra z. Thaçi kishte një marrëdhënie për të komunikuar me komandantët e UÇK-së në terren, ata kishin pak kohë ose më mirë thënë kishin mungesë respekti ndaj tij, po të shohim këtë vizatim.”

Ai shtoi se gjatë një takimi të rëndësishëm, Thaçi kishte qëndruar në heshtje dhe nuk kishte ndërvepruar me komandantët.

“Të gjithë ishin aty, përveç z. Thaçi që nuk lëvizi, ai qëndroi aty ku ishte. Komandantët e tjerë po bisedonin me gjeneralin Clark, unë nuk kam komunikuar me z. Thaçin. Sjellja e tyre ishte përçmues ndaj tij. Ne besonim se z. Thaçi nuk kishte lidhje me këta komandantë në terren.”

I pyetur përse komandantët e zonave duhej të flisnin me gjeneralin Clark, Covey u shpreh.

“Nuk ka pasur komandë qendrore, komandant Çeku ishte individi me më ndikim në UÇK, ai kishte nevojë të dinte që kishte marrëveshje mes tyre, ne gjatë takimit e shihnim gjeneral Çekun shumë të qetë, duke parë që komandantët e mbështesnin. Ne kuptuam se UÇK më shumë ishte një lëvizje se sa një ushtri, ata kishin pushtetin në zonat e tyre.”

Kujtojmë se Covey është dëshmitari i katërt pas James Rubin, Paul Williams e John Duncan./Lajmi.net/