Conte: Kishim paraqitje të mirë, nuk dua ta transferoj askënd

Trajneri i Inter, Antonio Conte ka reaguar pas ndeshjes ndaj Romës, të cilën "Nerazzurrët" e barazuan 2-2 në Olimpico.

Sport

10/01/2021 15:46

Inter u rikthye nga disavantazhi i pjesës së parë, por që nuk ia doli të mbajë rezultatin dhe të arkëtojë tre pikë të plota, ndeshja përfundoi me rezultatin 2-2, ishte Gianluca Mancini i cili barazoi rezultatin në minutën 86′, për ti mohuar “Nerazzurrëve” tre pikë në këtë ndeshje, transmeton lajmi.net.

Antonio Conte u shpreh i kënaqur dhe ka vlerësuar skuadrën e tij.

“Mendoj që kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, edhe pjesa e parë ishte e mirë, të mos harrojmë që Roma është ekip me të njëjta objektiva. Janë forca e tretë në këtë kampionat, të vish këtu dhe të zhvillosh këtë lloj ndeshje tregon që jemi një skuadër e fortë mbi të gjitha”, tha ai.

“Vidal kërkoi të zëvendësohej në minutën e 75′, Hakimin e hoqa nga loja sepse kishte vrapuar shumë dhe po humbiste topa të rëndësishëm. Kjo është ndeshja jonë e tretë në shtatë ditë, kemi humbur energji dhe ishim paksa të lodhur”, tha italiani.

Ai pati lëvdata për Vidal, për të cilin e kritikoi ditë më parë.

“Vidal ka bërë ndeshje të mrekullueshme, ka marrë intensitetin e duhur, kishte paraqitje të mirë”, tha 51 vjeçari.

“A dua një sulmues shtesë këtë sezon? Këtë vit nuk ekziston fjala “Dëshiroj”, vetëm të jemi të qartë për këtë. Jam i qartë, nuk dua askënd, dua të punoj më këta futbollistë. Nuk jemi perfekt por jemi të mirë, kur dëgjoj zëra se dua të sjell sulmues të ri, qesh! Jo, kjo është gabim, jam i kënaqur me ekipin qe kemi. Fjala “Dëshiroj” nuk ekziston për ne, vetëm fjala “Punoj”, dhe këtë e di mirë”, perfundoi Antonio Conte./Lajmi.net/