Conte i kënaqur me debutimin e Eriksen, jep komentet e para për danezin

Trajneri i Inter, Antonio Conte, është shprehur i kënaqur me debutimin e plotë të Eriksen në Serie A.

Sport

03/02/2020 08:45

Christian Eriksen ishte titullar në ndeshjen që Inter e luajti kundër Udinese, edhe pse kishte vetëm pesë ditë me skuadrën.

Përkundër faktit se Conte e zëvendësoi lojtarin herët në pjesën e dytë, ai është shprehur i kënaqur me paraqitjen e yllit danez.

“Mendoj se për dikë që ka ardhur këtu pesë ditë më parë, dhe të mos harrojmë se duhej ta nxitonim sepse mungonin mesfushorë, Eriksen pati impakt pozitiv” ka thënë Conte, transmeton lajmi.net.

“Dukshëm, ai duhet të përshtatet në stilin tonë të futbollit dhe gjithashtu të gjej përgatitjen e duhur fizike për Serie A, por jam i kënaqur me debutimin e tij” shtoi tekniku italian.

“Ai do të mësojë pozicionimin që i kërkojmë mesfushorit, por këto janë ditët e para dhe jam i kënaqur” tha ndër të tjerash Conte.

Eriksen regjistroi 51 prekje të topit në debutimin në Serie A, duke kompletuar 78% të pasimeve të tentuara, para se të zëvendësohej në minutën e 58’. /Lajmi.net/