Conte e bën të qartë: Dua një trofe për klubin

Trajneri i Interit Antonio Conte doli sot në konferencë ne zakonshme për shtyp në prag të sfidës gjysmëfinale ndaj ukrainasve të Shakhtar Donetsk, i shoqëruar edhe nga kapiteni Samir Handanovic.

Sport

16/08/2020 22:30

Trajneri italian foli me superlativa për kundërshtarët, por pranoi se skuadra e tij ka punuar shumë mirë dhe se është gati t’i shkojë deri në fund kompeticionit, pse jo edhe ta fitojë atë për të mbyllur me sukses sezonin.

Çfarë kundërshtari do të gjeni përballë nesër?
Shakhtari është një skuadër e mbushur me talente dhe me një strukturë klubi që ka ditur ta mbajë ekipin në nivele të larta për shumë kohë. Jam përballur me ta edhe kur isha në pankinën e Juves dhe më vjen mirë që vijojnë të luajnë në nivele të larta prej kaq shumë vitesh.

Sa e rëndësishme është edhe prania e presidentit për sfidën e nesërme?
Mua dhe futbollistve na gëzon shumë vizita e presidentit dhe prania e tij këtu me ne. Është një vlerë e shtuar në çdo situatë, si për mua, ashtu edhe për lojtarët.

Si mendoni se do të luajë Shakhtar nesër?
Ata kanë një identitet loje tashmë, pasi kanë vite që luajmë në Europë. Edhe nesër pres të luajnë si gjithmonë, ku herë do të bëjnë presion lart e herë do të na presin, për të provuar goditjen me kundërsulm. Merita më e madhe e trajnerit të tyre është që ka bindur futbollistët e talentuar të sakrifikojnë për skuadrën.

Më shumë frikë për përballjen me Leverkusenin apo këtë me Shakhtarin?
Fjala frikë nuk ekziston në fjalorin tim dhe nuk duhet të ekzistojë as në fjalorin e futbollistëve të mi. Ne përballem me respekt ndaj Shakhtarit, por jemi të përgatitur për të ecur në rrugën tonë dhe do të provojmë t’i shkojmë deri në fund këtij kompeticioni.

E ndjeni peshën e të qenit e vetmja skuadër që përfaqëson Italinë në Europë?
Nuk jemi shpëtimtarët e vendit, por një skuadër që ka ndjekur rrugën e saj, duke respektuar në maksimum të gjithë kompeticionet ku ka marrë pjesë.

Duket se keni shumë dëshirë për të fituar një trofe në Europë…
Nëse do të fitonim, do të isha shumë i lumtur për klubin. Unë nuk dua të pasuroj palmaresin tim personal, por të klubit që më ka punësuar. /Lajmi.net/