Çollaku: Jemi futur në një proces më të avancuar të agjendës evropiane

Ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku tha se është çështje javësh që Kosova të përmbushë të gjitha kriteret teknike të dala nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

Lajme

30/03/2015 21:54

Në intervistën dhënë për Zona B të Klan Kosovës, Çollaku tha se Kosova është futur në një proces të avancuar të agjendës evropiane. Sipas tij, këtë e dëshmojnë edhe dy vizitat e fundit të komisionarit Dimitris Avramopulos dhe shefes së BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, transmeton lajmi.net.

“Jam i impresionuar me deklaratat e komisionarit Avramopulos. Vizitat e fundit të javës së kaluar janë të mirëseardhura për Kosovën, për vend aspirant për anëtar në BE. Mendoj që kjo është një gjë e mirë dhe se Kosova është futur në një proces më të avancuar të agjendës evropiane”.

“Ne presim që në verë të nënshkruajmë MSA-në, nëse nuk do të ketë ndonjë komplikim tjetër në BE, sepse janë 5 vende që nuk e kanë njohur Kosovën dhe gjithnjë mund të pritet ndonjë befasi e pakëndshme”, tha ai

Ministri Çollaku tha se Kosovës do t’i kërkohet që të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe ai është optimist se një gjë e tillë mund të arrihet, por vetëm me një sistem gjyqësor të pavarur.

“Kriteret teknike të gjitha duhet të përmbushen, dhe tashmë është çështje javësh që ato të përmbushen. Mirëpo, për ta përmbyllur, të gjitha këto që janë paraparë në Udhërrëfyes do të plotësohen, por ajo që do të kërkohet nga ne, jo vetëm nga Komisioni Evropian, por edhe nga vendet anëtare, është lufta e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo do të na përcjellë deri në anëtarësimin në BE”.

“Unë jam realist dhe një gjë e tillë mund të arrihet nëse ne kemi një prokurori funksionale, të pavarur, një sistem gjyqësor të pavarur. Kosova nuk duhet t’i marrë shembull shtetet fqinje në këtë aspekt. Ne duhet të përfitojmë gjithmonë nga praktikat më të mira, të shikojmë nga vendet evropiane”.

Duke komentuar deklaratat e tij të mëparshme, se vendi mund të fitojë liberalizimin e vizave në vitin 2016, ministri Çollaku tha se këto deklarata i ka bazuar në punën e bërë deri tani.

“Bazuar në punën e deritanishme dhe planin e punës në muajt në vijim, unë jam i bindur se ne do të përmbushim të gjitha kushtet për liberalizim. Kosova pritet ta informojë Komisionin Evropian që kemi përmbushur të gjitha kriteret. Unë kam pritur që ne si Kosovë të përmbushim kriteret në tremujorin e parë të këtij viti e jo në gjashtëmujorin e parë, sepse sa më shpejt që pëmbushen kriteret, u mundëson qytetarëve lëvizjen e lirë”, tha ai.

Çollaku përsërit edhe njëherë qëndrimin e tij se ka indikacione që Greqia dhe Rumania mund të na njohin gjatë këtij viti , duke u bazuar në “qasjen e tyre” karshi Kosovës, transmeton lajmi.net.

Duke folur për njohjen e Kosovës nga Serbia, Çollaku tha se dialogu do të përfundojë pikërisht në momentin kur të ndodhë një gjë e tillë.

“Është e rëndësishme që ne të mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi që e kemi filluar. Dialogu duhet të vazhdojë dhe që marrëveshje të reja të arrihen. Ne nuk kemi dyshim se një proces i tillë do të përfundojë vetëm në një moment të tillë kur njohja reciproke nuk do të jetë më çështje”, tha Çollaku për Klan Kosova.