Çoçaj: Komandant Drini më kërkoi të inkuadrohem në Shërbimin e Zbulimit në ZO të Pashtrikut, s’ka pasur SHIK atëkohë
Sipas dëshmitarit Nezir Çoçaj, atij iu ishte kërkuar nga komandant Drini (Ekrem Rexha), që t’i bashkohet Shërbimit të Zbulimit në nivel zone në Zonën Operative të Pashtrikut dhe kjo kërkesë kishte ardhur në dhjetor të 98-ës. “Kjo është e vërtetë por fillimisht ai ka kërkuar që në njëfarë forme unë të merrna me logjistikë, ngase…
Lajme
Sipas dëshmitarit Nezir Çoçaj, atij iu ishte kërkuar nga komandant Drini (Ekrem Rexha), që t’i bashkohet Shërbimit të Zbulimit në nivel zone në Zonën Operative të Pashtrikut dhe kjo kërkesë kishte ardhur në dhjetor të 98-ës.
“Kjo është e vërtetë por fillimisht ai ka kërkuar që në njëfarë forme unë të merrna me logjistikë, ngase isha nga regjioni i Hasit dhe mundësitë për ishin për të kërkuar ndihma financiare tek hasianët që punonin jashtë Kosovës. Kjo ka qenë kërkesa fillestare e Komandant Drinit për mua”, tha Cocaj.
Detyrën fillestare sipas tij, ai nuk e kishte marrë përsipër, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Jo nuk e kam marrë përsipër këtë detyrë”, tha dëshmitari duke shtuar se komandant Drini kishte besim tek dëshmitari për shkak se kishin njohësi përmes një familjari të tij.
“Ai me propozoi që është mirë të punosh në këtë sektor dhe prandaj edhe pranova. Arsyet e drejtpërdrejta nuk i di pse por ngaqë që kishim komunikim dhe njohësi përmes një familjari të tij e ndoshta edhe për shkak të besimit që ka pas ndaj meje. Saktësisht nuk i di arsyet se çka e ka pa të arsyeshme që unë të punoj në këtë sektor”, tha Çoçaj, duke shtuar se nuk ka pas emërim me shkrim por vetëm gojarisht.
Dëshmitari tha se nuk ka pas emërime as të pozitave të tjera por që mbas disa kohësh ka ardh Halil Çadraku dhe një grua me emrin Peka Gashi.
Pas kësaj, rreth muajit prill, në këtë sektor sipas dëshmitarit ka qenë Xhavit Bajraktari.
Dëshmitari tha se përpara janari të 99-ës nuk e din që ka pasur ndonjë strukturë të zbulimit.
“Në nivel të Zonës Operative nuk e di që ka pas”, tha Çoçaj.
Dëshmitari mohoi të ketë pasur rregullore për kryerjen e funksioneve të zbulimit. Megjithatë, ai tregoi se si shkonte vija e raportimit.
“Nëse ishte z. Çadraku aty po. Pastaj ka shkuar me hierarki tek shefi i operatives, shefi i shtabit në nivel të zonës dhe pastaj kupola që ka qenë zëvendëskomandanti e sidomos komandanti i zonës. Pra, në këtë far vije kemi lëvizë apo kemi shku me informacione”, tha Çoçaj.
Ai tha se informacionet në shumicën e rasteve përcilleshin me gojë por ka pasur raste që edhe me shkrim.
Ndërsa, komunikimet sipas Çoçajt bëhej me radio-lidhje e po ashtu në territore të afërta edhe verbalisht.
Ai është pyetur edhe për rolin e sektorit të zbulimit për të identifikuar kolaboracionistet ose bashkëpunëtoret.
Çoçaj tha se asnjëherë nuk është përfshi në mbledhjen e informacionit për persona të tillë dhe as shefi i tij Halil Çadraku nuk ia kërkuar një gjë të tillë e po ashtu as Komandant Drini.
Ai tha se shërbim të ShIK-ut nuk ka pas atë kohë por ai i Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ) ka qenë.
Dëshmitari tha se gjatë fillimit të luftës, përpara verës së 98-ës nuk ka pas mundësi Shtabi i Përgjithshëm me dhanë instruksione për secilin fushë.
“Nuk kemi pas instruksione e nuk e kam ditë as nuk kemi ditë që ekziston Shtabi i Përgjithshëm në atë kohë”, tha Çoçaj.