CNN: Këto janë kërkesat kryesore që po i paraqet Hamasi për marrëveshjen e armëpushimit

Hamasi ka paraqitur kërkesat që po i shtjellon në bisedimet e tërthorta me Izraelin, ndërsa delegacionet e të dy palëve po punojnë drejt një plani për armëpushim në Gaza në Egjipt. Negociatorët e grupit militant “po punojnë për t’i hequr të gjitha pengesat drejt një marrëveshjeje që plotëson aspiratat e popullit tonë”, tha Fawzi Barhoum,…

Bota

07/10/2025 16:47

Hamasi ka paraqitur kërkesat që po i shtjellon në bisedimet e tërthorta me Izraelin, ndërsa delegacionet e të dy palëve po punojnë drejt një plani për armëpushim në Gaza në Egjipt.

Negociatorët e grupit militant “po punojnë për t’i hequr të gjitha pengesat drejt një marrëveshjeje që plotëson aspiratat e popullit tonë”, tha Fawzi Barhoum, një zyrtar i lartë i Hamasit, në një fjalim të transmetuar sot nga mediat e Hamasit.

Cilat janë kërkesat? Ato përfshijnë një armëpushim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës, tërheqjen e ushtrisë izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës dhe hyrjen e pakufizuar të ndihmave humanitare në enklavë, tha Barhoum, shrkuan CNN.

Hamasi gjithashtu kërkon garanci që palestinezët e zhvendosur do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre, një “marrëveshje të drejtë shkëmbimi të të burgosurve” dhe fillimin e menjëhershëm të një “procesi gjithëpërfshirës rindërtimi nën mbikëqyrjen e një organi kombëtar palestinez të teknokratëve të pavarur” në Gaza, shtoi ai.

Barhoum sugjeroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të përpiqet ta “pengojë dhe sabotojë rundin aktual të negociatave, ashtu siç ka bërë qëllimisht me të gjitha rundet e mëparshme”.

“Ne besojmë në vetëdijen e popullit tonë, në unitetin tonë, në drejtësinë e çështjes dhe të luftës sonë, dhe jemi të bindur në aftësinë tonë për t’i dështuar të gjitha planet për ta likuiduar çështjen tonë dhe për ta avancuar agjendën e armikut”, shtoi ai.