Çmimi “Nobel” për Shqipërinë

Çmimin do ta marrim për zbulimin e kurës për shërimin e idiotizmit. Mjafton që çdo idiot të ulet, qoftë edhe një ditë, në karrigen e Kryeministrit.

Opinion

15/11/2013 14:16

PSE M’U KUJTUA “QAZIM MULLETI”

Që në fillim sqaroj lexuesin se bëhet fjalë jo për Qazim Mulletin, personin real, ish-prefekt i Tiranës në vitet e pushtimit, por për personazhin grotesk “Prefekti Qazim Mulleti”, i krijuar me mjeshtëri nga letërsia dhe kinematografia komuniste për të tallur kundërshtarët dhe për të demonstruar forcën e ideologjisë së vet. Këtë personazh ma kujtoi Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me komisionerin Stefan Fyle të martën e kaluar.

I pyetur nga TV Klan për armët kimike siriane, ndonëse e tha dhe vetë se pyetja ishte jashtë teme e, në një tjetër kohë do ishte përgjigjur “t’fala Sandrit”, Kryeministri e harroi fare komisionerin që e la gafil n’këmbë dhe shpenzoi më shumë kohë me përgjigjen për armët kimike se sa e gjithë pjesa tjetër e konferencës, tema e së cilës – diskutimi në nivelin më të lartë të çështjeve të integrimit europian – mbeti tërësisht në hije nga përgjigjja jashtë teme mbi armët kimike.

Që bëri mirë se, më në fund, foli për çështjen, ndonëse jashtë teme, siç bëri edhe të mërkurën në konferencën për antikorrupsionin, kjo s’diskutohet, por, duke i rënë vërdallë, tangjent e gjithnjë jashtë teme sqarimit të publikut për këtë çështje të tejnxehtë e të tejnxehur, rivulosi se sa së prapthi e ka nisur trajtimin e saj.

E, ndërsa fliste atë të martë për çështjen, qesha me të madhe me ç’tha për protestuesit, udhëheqësit e nxitësit e tyre se “nuk ka asnjë dyshim se po të mos isha në zyrën ku jam dhe po të ‘dëgjoja’ ekspertët që kanë marrë përsipër t’u tregojnë shqiptarëve një panoramë apokaliptike, do të isha në protestë”. përgjigje e cila ma kujtoi, natyrisht turbull, batutën e personazhit Qazim Mulleti “edhe mu po t’m’rrasin n’burg isha bo kamunist e kalu kamunistit”.

Por, pasi e mendova më thellë, ndihmuar edhe nga ngjarjet e deridjeshme, çështja nuk ishte aspak për të qeshur, por shumë serioze dhe me shumë vlerë për të ardhmen e Shqipërisë dhe Njerëzimit. Edi Rama na dha një sihariq. Më lejoni që këtë t’jua përcjell natyrshëm, me prova e fakte në fund të shkrimit, që të jetë sa më i besueshëm, ndonëse nga titulli kuptohet, në një farë mase, se për ç’bëhet fjalë.

SPARTAK NGJELA IA FUT KOT

Kështu tha Kryeministri tek “Opinion” i Blendi Fevziut, plot gaz e hare ngaqë i pëlqeu batuta e vet për avokatin e mirënjohur. Këtë mendim e përforcoi edhe me atë batutën tjetër që “avokati gjith’ jetën ka kërkuar Kryeministrin tjetër”, pra që kur kërkonte pasardhësin e Mehmet Shehut deri kur kërkonte pasardhësin e Sali Berishës.

Më parë, për të gjithë aradhen e kryeministrave, avokati ia fuste plot. Edi Rama ndante të njëjtin mendim e kauzë kërkimore me të.

Tashmë Kryeministër është Edi Rama. Ndaj, nga ky moment, avokati ia fut kot. Ai vetë? Jo më kot, por plot.

ANALISTËT IDIOTË

Kështu i klasifikoi të gjithë analistët e këdo tjetër që u shprehën kundër debutimit të tre kryeministrave, dy shqiptarë dhe një turk, në Prizren, pak ditë më parë. Këta ia futën edhe më kot, deri në idiotësi.

Vetë s’la gjë pa thënë për Saliun. Deri edhe regjim fashist oriental e quajti. Një pjesë e idiotëve të sotëm, sipas tij, iu bashkuan kësaj thënieje të tij për Saliun, por asokohe këta ishin të mençur dhe patriotë.

Sot Kryeministër e kur me Kryeministrin turk e ka grurë, idiotët janë ish-të mençurit e patriotët e dikurshëm paçka se, me të njëjtin metër e peshë të Edi Ramës, më shumë se Saliu, përcaktimin fashist oriental e meriton Erdogani. E, nëse nuk konsiderohen idiotizma edhe thëniet e urta të popullit si ajo “më thuaj me kë rri, të të them kush je”, ç’tjetër gjë do të priste prej analistëve kur këta panë tre kryeministrat ngjeshur me shoqi-shoqin e këmbëkryq rreth sofrës prizrenase, përveçse të përsërisnin atë që bashkë me Edi Ramën thane tri vite më parë për Saliun?

Por sot Edi Rama është Kryeministër dhe çdo ngjashmëri e tij me të shkuarën është më shumë se t’ia fusësh kot. Idiotizëm. Idiotë. Ai vetë? Jo më.

SHËRIMI I KRYEMINISTRIT NGA IDIOTIZMI MJEDISOR

Ç’nuk thanë mjedisorët për importin e mbetjeve të parrezikshme për riciklim. “JO importit të plehrave. Vetëm ato vendase. Asgjë nga jashtë. Përmes tyre do të hyjnë lëndë kimike e radioaktive tejet të rrezikshme. Shteti i paaftë t’i parandalojë e të na mbrojë”.

Edi Rama i nxiti dhe i mbështeti. Ç’nuk tha kundër mbetjeve atëkohë. Njësoj si mjedisorët me të cilët ndante ditët dhe netët, mendjen dhe shpirtin. I mbështeti edhe të mblidhnin 60 mijë firma mbi kërkesën me shkrim për shfuqizimin referendar të nenit 49 për procedurën e lejes për import pa shfuqizuar nenin 48, që lejonte vetëm importin e mbetjeve të parrezikshme për riciklim, ndonëse ky ishte një gomarllëk i paparë, pasi shkaktonte juridikisht lejimin e importit të të gjitha llojeve të mbetjeve të parrezikshme për riciklim, ndryshe nga kërkesa me gojë për ndalimin e plotë të importit të çdo lloji.

S’kishte faj në atë kohë se nuk ishte Kryeministër dhe mund të hante çdo dokërr teknike e ta merrte për shkencë të pastër dhe ekspertizë të nivelit më të lartë. Propaganda mjedisore e po atyre mjedisorëve të sotëm, paskësh qenë shumë e efektshme mbi të dy vite më parë, deri ditën kur u bë Kryeministër.

Por, sapo u bë Kryeministër u bë edhe i zgjuar, edhe i ditur. Që ditën e parë e kuptoi gomarllëkun dhe e shfuqizoi edhe nenin 48 bashkë me atë 49 të ligjit për mbetjet. Mjedisorët u gëzuan pa e kuptuar se ai ishte bërë i zgjuar. Kujtuan se kishte mbetur njësoj si ata e besnik i tyre.

Tashmë, pretendimit të idiotëve alarmantë mjedisorë që “ligji ndalon mbetjet e rrezikshme e të parrezikshme e ndaj, kur ndalove të parrezikshmet, si ka mundësi të pranosh ato super të rrezikshme”, ia dha fët-e-fët përgjigjen se “mes dy çështjeve nuk ka asgjë të përbashkët”.

Këtu Kryeministri ka plotësisht të drejtë sepse në Shqipëri, me të vërtetë që ndalohet importi i mbetjeve të rrezikshme e të parrezikshme, por armët e lëndët kimike siriane, në momentin kur hyjnë në kufi, nuk janë as mbetje dhe as plehra, por produkte të gatshme e me shumë vlerë. Idiotët mjedisore, sipas tij, s’mund ta shquajnë dallimin. Ai, tashmë Kryeministër, e bën.

ZBULIM PËR ÇMIM “NOBEL”

Ndaj, në konferencën e përbashkët për shtyp me Stefan Fylen dhe atë një ditë më pas, më shumë se ndonjë sihariq për integrimin europian a mposhtjen e korrupsionit, Edi Rama na dha sihariqin se Shqipëria mund të marrë, me votim unanim e të merituar, çmimin “Nobel” jo për paqen në botë sepse ç’përgjigje do japë për armët s’po merret më vesh nëse do jetë PO arriviste, JO populiste, PO bindëse, JO dinjitoze apo opsioni remix, një as JO e as PO, edhe JO edhe PO, një farë përgjigjeje përtej JO dhe PO, shkurt e shqip një përgjigje bythecësh.

Çmimin do ta marrim për zbulimin e kurës për shërimin e idiotizmit. Mjafton që çdo idiot të ulet, qoftë edhe një ditë, në karrigen e Kryeministrit. Edi Rama, siç pohoi edhe vetë, u shërua nga çdo kotësi, marrëzi e idiotësi sapo u ul në atë karrige, fitoi edhe imunitet ndaj këtyre sëmundjeve e u bë i zgjuar dhe i ditur, njëherazi në shumë fusha.

Merita për zbulimin e vetive çudibërëse të karriges në fjalë i takon Edi Ramës Kryeministër, ndaj edhe çmimi i takon atij ta marrë në dorëzim. Unë vetëm sa e shpjegova, me fakte e prova, vërtetësinë e zbulimit të tij.

(Panorama)