​Çmimet në ‘qiell’, vetëm katër ankesa në MINT – a po e humbin qytetarët besimin në institucionet publike?

Qytetarët e Kosovës po përballen me një rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve, një inflacion që ka shkaktuar shqetësim të gjerë në opinionin publik. Shtrenjtimi i energjisë elektrike nga ky muaj për gjashtëmbëdhjetë pikë një për qind ka nxitur një valë të re shtrenjtimesh në vend, duke e vështirësuar edhe më…

Lajme

25/05/2025 10:26

Qytetarët e Kosovës po përballen me një rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve, një inflacion që ka shkaktuar shqetësim të gjerë në opinionin publik.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike nga ky muaj për gjashtëmbëdhjetë pikë një për qind ka nxitur një valë të re shtrenjtimesh në vend, duke e vështirësuar edhe më tej gjendjen ekonomike dhe sociale.

Megjithatë, shumë ankesa janë bërë në rrjete sociale e opinionin publik, por jo edhe në rrugë zyrtare.

Mungesa e besimit në institucionet publike po i mban qytetarët të indinjuar dhe të zhgënjyer, duke bërë që zëri i tyre të mos dëgjohet në rrugë zyrtare.

Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga 1 deri më 23 maj, vetëm katër qytetarë janë ankuar për ngritje të çmimeve, raporton KosovaPress.

“Ngritje çmimi katër ankesa, katër ankesa të pazgjidhura”, thuhet tek lista e ankesave nga konsumatorët për periudhën 1 maj të këtij viti deri me datën 23 maj 2025.

Të tjerë qytetarë për KosovaPress thonë se nuk bëjnë ankesa për shkak se nuk u besojnë institucioneve.

Qytetari Zymer Mramori thotë se rritja çmimit të rrymës ishte e padrejtë dhe e pashoqëruar me masa mbështetëse nga shteti.

“Prej që është shtrenjtuar rryma, ne e bëm një protestë të madhe mos të shtrenjtohet, ata thanë 15 për qind, e shtrenjtuan 16.1 për qind. Çmimet janë të lidhura me duket me rrymë, kështu kanë luajtur. Nuk është dashtë me u ngritë çmimet fare, sepse e dimë çfarë pagash kemi ne, çfarë pensione, çfarë standardi është. Çmimet kanë shkuar lartë, pagat jo, pensionet jo. Ky popull tepër po duron…Ka pas mundësi shteti, për rrymë të heq TVSh-në, por edhe në çmime sigurisht kish mujt me ndërhy diçka shteti në të mirë të qytetarit…. Ku me bë ankesë…jo unë nuk kam bërë personalisht (ankesë)…çfarë të besuni (në MINT), sidomos këtyre që katër vite, na kanë dhënë premtime, i kemi votuar, 52 për qind dhe për qytetarët nuk kanë bë asgjë. Standardi para katër viteve ka qenë diku 40 për qind më i mirë se tash”, thotë Mramori.

Situata nuk është më e lehtë as për qytetarin, Nazmi Metolli, i cili thotë se çmimet janë rritur në të gjitha produktet, veçanërisht ato të cilat janë të nevojshme çdo ditë.

“Qysh me ja dalë me çmime shumë të larta…08:01Produktet të gjitha janë shtrenjtuar, nuk ka produkt që nuk është shtrenjtuar, prej bukës e tutje….Kujt me ju anku, kot e kemi të ankohemi (në Mint). Ankesa nuk ka, prej nesh nuk ka, ata vet duhet të kujdesen…Ekziston mundësia, por kot mundohemi ne, mirëpo nuk na përkrah askush”, thekson ai.

Një tjetër qytetare, Elmije Berisha, thotë se për shkak të rritjes së çmimeve, e kanë të vështirë të furnizohen me produkte ushqimore, sidomos me ato të mishit dhe me perime.

“Janë rrit paushall…Ja dalim me vështirësi, me ato elementaret, ndërsa çka duhet blerë gjithë nuk mundemi me i marrë, se nuk ja del…perimet, sallatat, nuk mundesh mi marr…mishin jo se jo…Më së shumti na mungojnë perimet, por edhe mishrat po”, thotë Berisha.

Nga ana tjetër, Abid Zymeri kritikon drejtuesit e institucioneve në vend, duke thënë se nuk po ‘mendojnë për qytetarët’

“Rrogat nuk kanë luajt, pensionet jo, çmimet, inflacioni në ‘qiell’ ka shku, por s’kemi çfarë të bëjmë. Këta udhëheqësit, qeveria, po i këqyrin punët e veta, e kanë shyt ekonominë, arsimin e të gjitha, deri në fyt i kanë ngulfat. Për popull askush nuk po mendon…Duhet i gjithë populli duhet të ngrihet në këmbë dhe të bëjmë ankesa, nuk shkon kështu…(Shtrenjtime)Më së shumti ushqimoret…buka, speca, domate, të gjitha”, thotë Zymeri.

Pas shtrenjtimit të kafesë, një gastronom në Prishtinë po paralajmëron se do të ketë rritje të çmimit edhe për shërbime ushqimore.

Ndërsa, se ka rënie të numrit të qytetarëve që po frekuentojnë restaurantet dhe kafiteritë, e thotë edhe menaxheri i këtij biznesi në kryeqyetet, i cili ka dashur të mbes anonim.

Ai bënë të ditur po ashtu se kanë marrë informacione nga furnitorët që kanë kërkesë të madhe për furnizim të aparateve të vegjël nëpër zyra të punës, për të pirë kafen brenda ambienteve të punës, për siç thotë ai “mos me dalë jashtë në kafiteri”.

“Çmimi i kafesë prej 1 euro, është bërë 1.20 euro-centë, shkaku i shtrenjtimit të kafesë, rrymës e shumë gjëra të tjera. Vërehet dukshëm një dalje më e paktë e qytetarëve në kafe në përgjithësi. Gjithashtu kanë ndikuar edhe çmimet e ushqimeve, po për momentin, ushqimet nuk i kemi lëviz. Veç kemi marrë informacione nga furnitorët që ka me pas ngritje të produkteve bazë ushqimore, si miellit, vajit, kripës e këto gjëra që na prekin direkt neve, më pas konsumatorin…Dhe sipas bisedave me furnitorët e kafes, ka kërkesë të madhe për furnizim të aparatave të vegjël nëpër zyre, që me pirë kafen brenda në zyre, mos me dalë jashtë…Ndoshta deri në 30 për qind (ka rënë numri i konsumatorëve)”, thotë ai.

Ekipi i KP ka vizituar ditë më parë disa furra dhe dyqane. Shihet se mantia është shtrenjtuar 50 për qind. Një manti nga 0.15 euro, tani në disa furra të Prishtinës çmimi i saj ka arrit 0.20 euro.

Bureku është shtrenjtuar 25 për qind. Një burek në Prishtinë në shumicën e furrave është shtrenjtua nga 1.20 euro në 1.50 euro, kurse në disa qytete tjera të Dukagjinit, si në Gjakovë, çmimi i burekut ka arrit deri 1.70 euro.

Buka është shtrenjtuar deri 20 për qind. Një bukë gjysmë kilogramë nga 0.50 euro, në Prishtinë ky çmim ka arrit në 0.60 euro, e në disa vendet të Gjakovës, ka arrit deri 0.80 euro.

Ndërsa edhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej tre për qind në muajin prill 2025, krahasuar me muajin prill 2024. Inflacioni mujor ishte zero pikë dy për qind në muajin prill 2025.