Çmimet në banderolat e barnave, të mira për pacientët por jo farmacistët
Është i njëjti produkt por në këto dy paketime të medikamentit për hipertension “Lorista”, dallimin e bën përmbajtja e banderolës. Në të djathtë është banderola, e cila ka kohë që vendoset në kutitë e paketimit ndërsa në të majtë, është banderola e re e cila tashmë përmban edhe çmimin e produktit. Çmimi i vendosur në…

Lajme
Është i njëjti produkt por në këto dy paketime të medikamentit për hipertension “Lorista”, dallimin e bën përmbajtja e banderolës.
Në të djathtë është banderola, e cila ka kohë që vendoset në kutitë e paketimit ndërsa në të majtë, është banderola e re e cila tashmë përmban edhe çmimin e produktit.
Çmimi i vendosur në të tregon çmimin e miratuar nga ligji duke treguar kështu, të vetmin çmim me të cilin mund t’iu shitet klientëve.
Megjithatë, barnatoret ende mbesin të mbushura me stoqe të barnave me banderola të vjetra.
“Forma dhe koha në të cilën ka filluar të zbatohet ka qenë shumë e shkurt dhe mënyra se si ka filluar të vendosë çmimet, tash ka filluar të reflektojë. Disa çmime janë zvogëluar por disa, fatkeqësisht janë shtrenjtuar dukshëm. Kemi diferencë me çmimet e regjionit. Dje kemi marrë çmimet e kompanisë “Krka” në Slloveni por fatkeqësisht, Llupilli psh nga 2 e gjysmë sa ka qenë, tek ne është tani 4.90. Kjo na dëmton e ka krijuar mungesë të ilaqeve që po vërehet edhe në institucionet publike”, ka deklaruar Gzonit Salihaj, farmacist për RTV Dukagjini.
Salihaj thotë se shtetet e tjera kishin periudha disa vjeçare për këtë tranzicion ndërsa përpjekja një-mujore në Kosovë, do çoj në dëme financiare.
“Kostoja e furnizimit më herët ka qenë më e lartë në disa artikuj dhe në këtë rast, i bie që artikujt duhet të shihen me koston e paraparë tash, që nuk kanë mundësitë financiare t’i shesin e që është e kundërlogjshme me ATK-në. Nëse kam një artikull me 100 copa dhe kolegu tjetër i ka pasur 5 copa, atij ju ka shpenzu sasia por mua jo. Ndoshta atë e kanë marrë me 50% ma lirë. Momentin që e ka marrë me 50% pacienti aty, ka për të kërkuar ta marrë edhe tek unë”, ka theksuar ai.
Por, vendosja e çmimit është mirëpritur nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve.
“Në parim është shumë e mirë sepse ka për të rritur transparencën dhe do të mbajë në kontroll çmimin e barnave. Uroj që të funksionojë sepse është shumë e mirë për pacientët”, ka deklaruar Besim Kodra, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve.
Televizioni ka provuar të marrë përgjigje nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe njëheri edhe nga Ministria e Shëndetësisë rreth inspektimeve dhe fazave se ku mbetet vendosja e banderolave me çmim në të gjitha produktet. Por nga asnjëra, nuk ka pranuar përgjigje.