Çmimet e prodhimeve bujqësore me 12.5 për qind rritje, krahasuar me 2015

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar indeksin e çmimeve të prodhimeve dhe çmimet në bujqësi nga viti 2015 deri në 2020.

Lajme

19/02/2021 14:52

Sipas ASK-së, për të bërë krahasime dhe për t’i vërejtur ndryshimet, janë prezantuar të dhëna për vitet 2015-2020 dhe për vitin bazik të vitit 2015, (2015 =100).

ASK thotë se ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore, sipas ASK-së, janë ndarë në prodhimet bimore dhe blegtorale.

“Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në kg, litër dhe copë. Në vitin 2020 indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 4.4%, krahasuar me vitin 2019. Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 2.3% në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019. Indeksi total i çmimeve të prodhimeve bujqësore ka rritje për 3.2% për vitin 2020. Në vitin 2020 indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 12.5%, krahasuar me vitin 2015. Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 8.2% në vitin 2020, krahasuar me vitin 2015. Indeksi vjetor total i prodhimeve bujqësore ka rritje për 10.0 % në vitin 2020, krahasuar me vitin 2015”, thuhet në komunikatë./Lajmi.net/