Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet, shkak protestat

Lëvizje të çmimeve të energjisë elektrike më 1 prill të këtij viti nuk do të ketë. Rrjedhimisht edhe kërkesa e KEK-ut dhe KEDS-it për rritje të çmimit të energjisë elektrike prej rreth 15 për qind do të shkoj huq.

Lajme

03/02/2016 13:20

Në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), vetëm e kanë konfirmuar pranimin e aplikacioneve me kërkesat për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike, dhe se janë ende në shqyrtim nga ekspertët e tyre.

Por burime mirë të informuara të Telegrafit kanë konfirmuar se për shkak të gjendjes ekonomike në vend dhe mundësisë për shpërthimin e pakënaqësive, këtë vit nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës.

“Edhe pse ende nuk është marr vendimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, ketë vit nuk do të ketë – sipas të gjitha gjasave, për shkak të situatës dhe çmimeve të rrymës të cilat janë aktualisht. Po ashtu është duke u vlerësuar se nëse rriten tarifat e rrymës, atëherë ekziston mundësia për shpërthimin e pakënaqësive të mëdha”, ka thënë burimi i Telegrafit.

E, zëdhënësja e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Adelina Murtezaj-Bajrami ka treguar se ZRRE-ja ka filluar Procesin e shqyrtimit Tarifor, të dhjetin me radhë.

“Si pjesë e këtij shqyrtimi, fillimisht është shqyrtimi i të Hyrave të Lejuara Maksimale, për të cilat tashmë kanë aplikuar operatorët e licencuar. Këto aplikacione i kemi bërë publike në faqen elektronike të ZRRE-së,.ero-ks.org“, ka thënë ajo.

Murtezaj thekson se aplikacionet, aktualisht janë duke u shqyrtuar nga ekspertët në Departamentin e Tarifave dhe Çmimeve.

“Sapo të përfundojnë këto analiza, ZRRE do të bëjë publik Raportin Vlerësues (që nuk është vendim) për të hyrat e lejuara maksimale për këta operatorë. Ky raport do të bëhet, si gjithmonë, publik dhe do të ftohen të gjitha palët e interesuara që të japin komente e tyre në lidhje me vlerësimet që përmban raporti”, thotë zëdhënësja e ZRRE-së për Telegrafin.

Pas pranimit të komenteve, Bordi do të shqyrtojë Raportin që përmban vlerësimet e ekspertëve të tarifave dhe çmimeve, si dhe të gjitha komentet e pranuara në lidhje me të.

“Vendimi i Bordit për të hyrat e lejuara maksimale dhe Tarifat e reja të energjisë elektrike do të duhej të merret më së largu deri më 31 mars 2016, deri kur është në fuqi vendimi aktual i tarifave të energjisë elektrike”, ka thënë Adelina Murtezaj-Bajrami. /Telegrafi/