Clinton: Po të kishte ardhur Vuçiq pak më vonë…

13:04 | 12 Korrik 2015

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, është shumë i bindur se nuk do të kishte ardhur deri të incidenti në Potoqarime, nëse kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq “do të vinte pak më vonë”.

Ai ka deklaruar se i vjen keq për incidentin e ndodhur, por ka pranuar se deri tek ky incident nuk do të kishte ardhur, nëse Vuçiq do të vinte pasi të kishin filluar lutjet ose thjesht nëse do të shkonte vetëm në komemoracion.

“Megjithatë, mendoj se njerëzit ishin të kënaqur që ai ishte në komemoracion, edhe pse shumica prej tyre nuk kishin mundur të dëgjojnë pothuajse asgjë çfarë ishte thënë atje, ata mbeten të shokuar kur e panë atë”, ka deklaruar Clinton për televizionin kroat RTL.

Ai beson se kryetari i komunës së Srebrenicës, Qamil Durakoviq, ka bërë një lëvizje të mirë, kur e ftoi Vuçiqin të marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të krimit në Srebrenicë, transmeton lajmi.net.

“Keni dëgjuar se si Durakoviq kishte mbetur i gjallë para 20 viteve, derisa kolegët e tij të cilët i kishte njohur u vranë, duke mos anashkaluar as anëtarët e ngushtë të familjes së tij. Megjithatë, ai ka marrë mbi veten rrezikun duke e ftuar kryeministrin Vuçiq. Ky është një farë lloj fillimi dhe është mjaft i rëndësishëm”, ka shtuar Clinton i cili mori pjesë në ceremoninë e Srebrenicës si i dërguar personal i presidentit aktual Barack Obama. (Lajmi.net)