Cliff: Shoqëria civile në politikë, i ndihmon demokracisë në Kosovë

Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se inkuadrimi në politikë i pjesëtarëve nga shoqëria civile është gjë e mirë. Kjo ndikon në demokratizimin e partive politike. Ndërsa kur ka folur për zgjedhjet, ai ka thënë se, ato do të jenë më të kompletuara se sa parapraket. 

Lajme

22/05/2014 22:20

Ambasadori Cliff ka thënë se kritikat të cilat i janë bërë ditëve të fundit partive politike se po përvetësojnë persona nga shoqëria civile janë të pakuptimta.

Ai në emisionin “Speciale” të RTK-së  është shprehur se marrja e individëve nga shoqëria civile është pozitive për politikën.

“Partitë kanë pasur shumë kritika që nuk kanë përfshirë shoqërinë civile mjaft, dhe është e paarsyeshme kur kritikohet dikush që merr nga shoqëria civile”.

“Këta njerëz vazhdojnë të jenë objektiv duke shtyrë partitë drejtë standardeve më demokratike. Disa nga partitë duhet të modernizohen. Paritë që kanë dalë nga lufta duhet të qesin më shumë të hyra moderne”.

Duke folur për kontributin e Ambasadës së Britanisë së Madhe në këto zgjedhje, ai ka pranuar se do të ndihmojnë në vëzhgimin nga afër të tyre. Sipas tij, organizimi i sivjetmë i zgjedhjeve është më i kompletuar se ai i vitit 2010.

“Do të kontribuojmë edhe në këto zgjedhje. Do të kemi nga një person nga secila ambasadë në Kosovë. Do të kemi ekipe në terren si mbikëqyrje diplomatike e cila përkrahet nga Bashkimi Evropian”.

“Do të ketë organizim më të kompletuar, sepse, në vitin 2010 ka pasur observime dhe mbikëqyrje të limituara, ndërsa tash kemi një strukturë shumë më profesionale. Kjo do të jetë një masë parandaluese për këdo në terren i cili mendon se mund të përfshihet në manipulim”.

“Ne gjithashtu inkurajojmë instancat lokale duke menduar se qytetarët e Kosovës duhet të kontribuojnë në proces”.

“Gjatë valës zgjedhore në Kosovë dikush mund të dëgjojë më shumë akuza sesa programe partiake. Një trend i tillë është duke ndodhur edhe tani edhe pse kampanja nuk ka filluar zyrtarisht. Prapëseprapë, akuzat e rënda për korrupsion dhe kriminalitet janë shumë të rënda dhe shumë të shpeshta”, ka thënë ambasadori Cliff.