Cliff: Caktimi i kryeministrit nuk i takon komunitetit ndërkombëtar

Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff tha se nuk i takon komunitetit ndërkombëtar që të thotë se kush duhet të jetë kryeministër e kush ministër në Qeverinë e Kosovës. 

Lajme

09/11/2014 22:47

Cliff duke folur për RTK2 tha se vendimi i Bllokut që të pranojnë të votojnë kandidatin e propozuar nga PDK për kryetar të parlamentit është një shenjë e mirë për Kosovën, dhe të gjithë ambasadorët, në veqanti ata të pesëshes kanë kërkuar një zgjidhje sa më të shpejtë, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, pesë muaj pa parlament për një vend demokratik janë shumë, por vendimi i Bllokut për të zgjedhur kryetarin e kuvendit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, tani e hapë mundësinë për formimin e institucioneve, dhe është hap vendimtar për të ardhmen e vendit.

Ndërsa i pyetur nëse PDK do ta bllokojë procesin pasi insiston në të drejtën e saj që si parti e parë të jetë pjesë e institucioneve, Cliff tha se duhet shkuar hap pas hapi.

“Kjo nuk është në të djretën e komunitetit ndërkombëtar që të thotë se kush do të jetë kryeministër e kush ministër. Roli ynë është që t’i inkurajojmë që të marrin vendime demokratike në përputhje me standardet evropiane, dhe unë mendoj se hapi i parë është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, pastaj të kalohet në formimin e qeverisë”, ka thënë Cliff. (lajmi.net)