Clark mohon distancimin nga UÇK-ja: I kërkova Thaçit të na ndihmonte
Wesley Clark ka mohuar deklarimet se ai kishte kërkuar të mbahej distancë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë bombardimeve të NATO-s. Gjatë seancës, prokurori e citoi një intervistë të tij të mëhershme, por Clark e hodhi poshtë këtë pretendim, transmeton lajmi.net. I pyetur nëse nuk dëshironte komunikim me UÇK-në në atë periudhë, Clark u përgjigj:…
Lajme
Wesley Clark ka mohuar deklarimet se ai kishte kërkuar të mbahej distancë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë bombardimeve të NATO-s.
Gjatë seancës, prokurori e citoi një intervistë të tij të mëhershme, por Clark e hodhi poshtë këtë pretendim, transmeton lajmi.net.
I pyetur nëse nuk dëshironte komunikim me UÇK-në në atë periudhë, Clark u përgjigj: “Jo, nuk është e saktë”.
Ai tha se pikërisht për këtë arsye kishte komunikuar me Hashim Thaçin, duke i kërkuar ndihmë. “Për këtë arsye fola me Thaçin. Në fakt, i kërkova Thaçit të na ndihmonte. Ishim në një moment kritik të historisë, vlerave, etikës dhe demokracisë. Dua të shpjegoj se kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë në luftëtarë lirie. Në një pikë, opinioni dhe konsensusi botëror pranojnë se njerëzit e drejtë duhet t’i bëjnë ballë trysnisë së luftës. Kjo është e shkruar edhe në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-së”, tha ai.
Clark shtoi se që nga viti 1974 Kosova duhej të ishte njësi e ndarë administrative, por se “Millosheviqi ua mohoi këtë”.
Sipas tij, për këtë arsye “një grup i caktuar njerëz, të cilët quheshin terroristë, u shndërruan në mbrojtje kolektive të popullit të vet”./lajmi.net/