Çka thuhet në vendimin e KGJK-së, me të cilin pushimi zyrtar i Gjykatave caktohet bllok në dy periudha kohore?

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka publikuar vendimin e plotë për pushimin zyrtar bllok të Gjykatave të Republikës së Kosovës në dy periudha gjatë vitit kalendarik, pra gjatë sezonit të verës dhe dimrit, duke pasur referencë Konventën e Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Vendimi i Këshillit është marrë më 8 maj 2025, ku ishte vendosur që gjatë sezonit…

Lajme

17/06/2025 18:05

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka publikuar vendimin e plotë për pushimin zyrtar bllok të Gjykatave të Republikës së Kosovës në dy periudha gjatë vitit kalendarik, pra gjatë sezonit të verës dhe dimrit, duke pasur referencë Konventën e Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Vendimi i Këshillit është marrë më 8 maj 2025, ku ishte vendosur që gjatë sezonit të verës (25 korrik- 20 gusht) dhe dimrit (24 dhjetor- 8 janar), gjykatat të shkojnë në pushim zyrtar kolektivisht- në përjashtim të rasteve urgjente, me qëllim të eliminimit të dështimit të seancave gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përmbajtja e vendimit:

Sipas vendimit, periudha e parë e pushimi zyrtar nis nga data 25 korrik deri më 20 gusht, ndërkaq periudha e dytë nga 24 dhjetori deri më 8 janar. Përjashtim nga këto data kanë kujdestaritë e lëndëve me prioritet dhe rastet emergjente, siç parashihen sipas Strategjive përkatëse të miratuara nga KGJK-ja.

Në vendim thuhet se gjykatat përgjatë këtyre dy periudhave do të kryejnë këto shërbime:

  1. Procedimin dhe mbajtjen e seancave lidhur me masat për sigurinë e të pandehurve në procedurë, shqyrtimet e rasteve me paraburgim dhe rasteve që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullimet mendore;
  2. Trajtimin e kërkesave për sekuestrim dhe masat e përkohshme;
  3. Ekzekutimin e vendimeve penale;
  4. Çështjet e dhunës në familje (të gjitha fushat);
  5. Çështjet e sigurimit të kërkesëpadisë (të gjitha fushat);
  6. Përmbarimin e vendimeve për rastet e dorëzimit të fëmijës, realizimit të kontaktit dhe alimentacionit si dhe rastet e tjera në çfarëdo procedure kur është në pyetje interesi i fëmijës;
  7. Procedurën për dërgimin e personave në rehabilitim ( të gjitha fushat);
  8. Të gjitha shërbimet administrative.

Vendimi ka hyrë në fuqi më 8 maj 2025, ndërsa gjykatat obligohen që gjatë shfrytëzimit të pushimit si më lartë, të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen efikase dhe efektive të procesit të punës.

Në vendim, thuhet se Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, ka trajtuar çështjen e shfrytëzimit të pushimeve në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Sipas vendimit, Asambleja ka rekomanduar që pushimi zyrtar nga ana e gjykatave të merret në kohë të caktuar, me qëllim që punët në sistemin gjyqësor të mos zvarriten për periudhë më të gjatë si pasojë e shfytëzimit të pushimit zyrtar në periudha të ndryshme.

Andaj, sipas vendimit, Këshilli Gjyqësor ka autorizuar Komisionin për Administrimin e Gjykatave që të bëjnë analizë rreth pushimit në bllok.

Pas kësaj analize, është konstatuar një rënie e theksuar e efikasitetit në gjyqësorit për shkak të pushimit në periudha të ndryshme kohore, ku për pasojë ka pasur shtyrje të seancave gjyqësore dhe rritje të seancave joproduktive.

Gjithnjë sipas vendimit, kjo problematikë është paraqitur edhe me rastin e raportimit të gjykatave në KGJK, nga Këshilli Prokurorial dhe Oda e Avokatëve.

Lidhur me këtë, KGJK-ja ka analizuar edhe praktikat e vendeve të ndryshme në rajon, me këtë rast ka vërtetuar se një praktikë e tillë gjen mbështetje edhe në këto vende me qëllim të rritjes së efikasitetit të gjyqësorit.

“Keshilli, përmes këtij vendimi, ka paraparë edhe rastet përjashtuese të cilat nuk zbatohen, me rastin
e shfrytëzimit të pushimit zyrtar, e të cilat i referohen rasteve të natyrave urgjente dhe me prioritet ligjor, sipas legjislacionit në fuqi dhe akteve të miratuara nga KGJK, të cekura në pikën Il dhe III
të vendimit, çka nënkupton se edhe administrata e sistemit gjyqësor do të jetë funksionale giatë
kësaj periudhe, me qëllim të ofrimit të shërbimeve përkatëse për palët dhe publikun”, thuhet në vendim.

KGJK për këtë vendim i është referuar edhe Konventës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

“…e po ashtu duke ju referuar edhe Konventës së ILOS-së, numër 132, lidhur me Pushimin e paguar vjetor nga viti 1970, ku në nenin 8 ka paraparë se: “Pushteti kompetent apo ndonjë organ tjetër kompetent në çdo shtet mund të merr vendim për organizimin e marrjes së pushimit vjetor në disa pjesë”, thuhet në vendimin e KGJK-së.

Në fund të vendimit, thuhet se është nën autoritetin e vetë gjykatave respektive që duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet adekuate me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të punës.