Çka të bëjmë me vetveten?

Amerika është me ju, por së pari, ju duhet të jeni me vetveten, dhe t’i përmbushni të gjitha obligimet që ju takojnë si një shtet demokratik, evropian dhe perëndimor. Kjo është porosia kryesore e Sekretarit Kerry.

Opinion

03/12/2015 10:46

Për herë të parë në tre-katër muajt e fundit, u detyruam të ndalemi pak, të qetësohemi, të mbushemi frymë dhe të mendojmë çka është puna e jonë, ku jemi si shoqëri dhe si vend, dhe kah po shkojmë.

Merita që e pezulluam ndërmarrjen ditore e goditjes së murit me kokë, duke shpresuar që ose muri do të bie ose koka do të mbushet mend, nuk na takoi neve.

Për dy orë qëndrim në Aeroportin e Prishtinës, këtë të mërkurë, me 2 dhjetor, John Kerry, Sekretary i Shtetit, me një fjalë të qartë dhe pa asnjë mendim të hedhur kot, na tregoi çka do të duhej të bëjnë në dy-tri vitet e ardhshme që rrëfimi i Kosovës të ecën në drejtimin e duhur.

Kerry, që është një njohës shumë i mirë i rrethanave në Kosovë dhe në Ballkan, dhe që njihet si pretendenti i parë për President të SHBA-së, në vitin 2004, që hapur foli për domosdoshmërinë e përmbylljes së çështjes së statusit të Kosovës me krijimin e shtetit të Kosovës, nuk la pa trajtuar temë a fushë të rëndësishme për këtë shtet, për raportet e Kosovës me SHBA-në, dhe për vendin që Kosova duhet të ketë në Botë.

Natyrisht, me të drejtë, Kerry dhe Washingtoni zyrtar, i shohin të gjitha këto çështje të ndërlidhura, të varura nga njëra-tjetra.

Nuk mund të ketë njëkohësisht dhunë dhe demokraci. Nuk ka demokraci pa debat, po ashtu. Ky debat në radhë të parë duhet të bëhet në Kuvendin e Kosovës, me gatishmërinë e të gjithëve për ta dëgjuar njëri-tjetrin, për tu dakorduar me njëri-tjetrin.

Nuk ka shtet të qëndrueshëm pa sundim të ligjit. Nuk ka sundim të ligjit, pa e luftuar suksesshëm krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nuk ka gatishmëri për tu përballur si vend, me drejtësi, në një dimension shumë të ndjeshëm, pa e bërë Gjykatën Speciale.

Nuk mund të ketë investime të huaja dhe zhvillim ekonomik, nëse nuk ka ligj për të gjithë dhe nëse nuk stabilizohet demokracia në vend.

Pa ekonomi, nuk ka vende të reja të punës, nuk ka stabilitet social, nuk ka perspektivë për qytetarët e Kosovës.

Nuk ka perspektivë ndërkombëtare për Kosovën, nëse ky vend, brenda vetes, nuk stabilizohet në aspektin e politikës, drejtësisë, ekonomisë, nëse nuk vazhdon të përballet me kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm, nëse ky shtet nuk i kryen detyrimet ndërkombëtare, duke u nisur këtu nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

Pa i përmbushur të gjitha këto detyra ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, Kosova nuk mund të ecën para si shtet, drejt anëtarësimit në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Pikërisht në Prishtinë, Sekretari Kerry mirëpriti gatishmërinë e Malit të Zi për tu bërë pjesë përbërëse e Paktit NATO.

Pak pasi u largua nga Prishtina, ndër ne nisën të bëhen shpjegimet dhe interpretimet e fjalës së Sekretarit Kerry, më së shumti duke aplikuar qasjen e marrjes së vetëm njërit mendim apo të disa porosive, dhe duke mos e parë fjalën e Kerry-t si një tërësi, e cila objektivisht, vetëm si e tillë përçon mesazhin kryesor të Kryediplomatit amerikan: Amerika është me ju, kështu do të jetë edhe në të ardhmen, ama së pari, ju duhet të jeni me vetëveten, dhe t’i përmbushni të gjitha obligimet që ju takojnë si një shtet demokratik, evropian dhe perëndimor.

Kjo vizitë ka ndodhë në momentin më të duhur politik për Kosovën. Kerry na foli si një mik i këtij vendi, si një dashamirës i Kosovës, i cili tutje beson që ne mund ta bëjmë Kosovën shtet të suksesshëm.

Këto tipare në fakt, janë gjithnjë e më deficitare në skenën politike të Kosovës. Po të ishte ndryshe, nuk do të ballafaqoheshim me një situatë të njohur politike për të gjithë ne. Po të ishte ndryshe, nuk do të ishim ku jemi sot. Apo jo.

Vizita e Sekretarit Kerry koincidoi me shënimin e ditëlindjes së Presidentit të parë të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, prijësit të Lëvizjes politike për pavarësimin e Kosovës.

Dihet fare mirë se çfarë ka bërë Dr.Rugova dhe e gjithë ajo Lëvizje e madhe, në vitet e nëntëdhjeta, për ta bërë çështjen e Kosovës prioritet dhe interes nacional të SHBA-së dhe të shteteve kryesore evropiane.

Kjo është vlerë e jashtëzakonshme politike e këtij brezi dhe thelbi i trashëgimisë historike të Presidentit Rugova.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)