Çka të bëhet me Mini – Schengen?

9:38 | 14 Nentor 2019

Blerim Shala

Në një mënyrë apo tjetrën, herët a vonë, ‘Mini – Schengeni’ do ta humbë udhën në  labirinthin e raporteve Kosovë – Serbi.

Shkruan: Blerim Shala

Viti i ri do të mund ta gjejë Kosovën pa Qeveri, pa Buxhet për vitin 2020, pa stabilitet të institucioneve qendrore, pa koordinim në nivel shtetëror për temat dhe sprovat kyç të shtetit të Kosovës të cilat janë të pashmangshme në vitin e ardhshëm.

Janë këto mungesa të shumta të cilat janë vështirë të përballueshme edhe për shtetet më stabile se Kosova.

Te ne, për më keq, nuk ka as kush të mirret me adresimin e gjithë këtyre mungesave, të cilat po e gërryejnë Kosovën nga brenda, dhe po e dobësojnë pozicionin ndërkombëtar të këtij shteti, i cili edhe ashtu është në rënie evidente viteve të fundit, për shkaqe të njohura për të gjithë.

Në rrethana shumë të vështira, shumë më të rënda të okupimit nga Serbia, pastaj, edhe në vitet e luftës, nuk ka pasë thuaja fare dallime, midis të gjithë protagonistëve të politikës dhe të luftës, se çka duhet bërë në vend dhe në rrafshin ndërkombëtarë, për ta bërë Kosovën të lirë, dhe me mundësi të krijimit të shtetit të Kosovës.

Tani, situata ka ndryshuar shumë. Për të keq. Për më shumë, nuk fare shenja shpresëdhënëse që politika kosovare, së paku në këtë aspektin strategjik, do të mund të këndellet apo të mëkëmbet.

Nuk ka temë a interes që i detyron politikanët tonë të jenë të një mendjeje për një çështje.

Kjo zatën u pa në mënyrën më të qartë të mundur edhe në reagimet që këndejpari përcollën nismën më të re rajonale, që ka bërë fillimisht bashkë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, e pastaj, edhe Malin e Zi dhe Bosnjën dhe Hercegovinën.

Kjo iniciativë, e pagëzuar me titull pune ‘Mini – Schengen’  (megjithëse ky titull më shumë shkakton konfuzion sesa që sqaron se për çka bëhet fjalë), mëton ta ‘evropianizojë’ më shumë rajonin, të dërgojë mesazhe bashkëpunimi në mes të shteteve të WB6, të fuqizojë atë porosinë drejtuar Brukselit që nuk mund të ketë kompletim dhe konsolidim të BE-së, pa përbrendësuar edhe këtë ishull politik dhe ekonomik të rrethuar në të gjitha anët me shtetet anëtare të BE-së dhe të Aleancës Veri-Atlantike.

Problemi është që në rrethanat e sotme, këndejpari, ka më pak Evropë se kurrë në dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit, që në BE ka më pak se kurrë, në dhjetë vjetët e fundit interesim për Ballkanin Perëndimor, ndërsa raportet fqinjësore në mes të shteteve të kësaj ane të Evropës, janë realisht, më të këqija se kurrë në pesë-dhjetë vitet e fundit.

Terapia me ‘Mini – Schengen’ pra, duket që nuk mundet as për së afërmi të nisë shërimin politik dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor, i cili siç dihet këtu, në Bruksel dhe në Washington, është edhe një fushëbetejë e veçantë e konfrontimit në mes të Rusisë dhe Perëndimit.

Sidoqoftë, këndejpari, te ne, pati reagime nga më të ndryshmet për Takimin e Ohrit, (të dytin me radhë në kuadër të kësaj nisme), dhe për mungesën e Kosovës në këtë mbledhje, e cila do ta ketë vazhdimësinë e vet më një sesion tjetër që do të mbahet në Durrës.

Realisht, autoritetet kosovare e kanë të pashmangshme që këtë nismë, ta trajtojnë, në radhë të parë, duke kërkuar sqarimet për statusin që Kosova do ta ketë në këtë iniciativë rajonale.

Në anën tjetër, institucionet e vendit do të duhej ta bënin një analizë të hollësishme për përfitimet dhe dëmet nga pjesëmarrja në ‘Mini – Schengenin’ rajonal.

Perspektiva afatmesme e kësaj nisme, nuk ka si të mos mëdyshet me themel, derisa të mos zgjidhet tema e madhe e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me arritjen e një Marrëveshjeje gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve.

Çelësi i stabilitetit rajonal politik dhe ekonomik, të cilin si synim të vetin primar e ka nisma e fundit e Tiranës, Beogradit dhe Shkupit, është në duartë e Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa aktualisht, as këtu dhe as në Serbi, nuk ka farë vullneti të mirëfilltë që të mëkëmbet dialogu në mes të dy palëve, dhe që në një periudhë që me ‘njësitë matëse’ të Administratës Amerikane, njeh disa muaj, të nënshkruhet ajo Marrëveshja historike që në themelet e veta do ta ketë njohjen reciproke në mes të dy shteteve.

Në një mënyrë apo tjetrën, herët a vonë, ‘Mini – Schengeni’ do ta humbë udhën në këtë labirinthin e raporteve Kosovë – Serbi.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)