Çka po premtojnë partitë politike në fushatën për zgjedhjet lokale?
“Me fokus në çështje të infrastrukturës”, po shihen premtimet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Problemet e qytetarëve duket të jenë më baziket, marrë parasysh premtimet e kandidatëve për kryetar komunash, thonë organizata joqeveritare të cilat po e monitorojnë fushatën zgjedhore. Fushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit tashmë është në ditën e 16-të dhe…

Lajme
“Me fokus në çështje të infrastrukturës”, po shihen premtimet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Problemet e qytetarëve duket të jenë më baziket, marrë parasysh premtimet e kandidatëve për kryetar komunash, thonë organizata joqeveritare të cilat po e monitorojnë fushatën zgjedhore.
Fushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit tashmë është në ditën e 16-të dhe do të zgjasë 30 ditë. Në zgjedhjet për kryetarët e 38 komunave të vendit do të garojnë 206 kandidatë për udhëheqës të komunave. Ndërkaq, janë më shumë se 5600 kandidatë përfshirë ulëset në kuvende komunale.
Drejtoresha e organizatës “Lëvizja Fol”, Mexhide Demolli Nimani, thotë se ajo çfarë po premtohet në tubime politike do të duhej të ishte sot e zgjidhur për qytetarët.
“Fatkeqësisht jemi në vitin 2025 dhe problemet e qytetarëve vazhdojnë të jenë ato më baziket, sigurimi i ujit të pijshëm, i rrugëve, kanalizimit, gjëra të tilla që konsideroj se tashmë do të duhej të ishin të kaluara, por kjo është gjendja. Premtimet kryesore vazhdojnë të jenë sigurimi i ujit të pijshëm, ndërtimi i rrugëve, kanalizimeve, këto vazhdojnë të jenë më kryesoret në shumicën e komunave në Kosovë… qindra rrugë premtohen se do të shtrohen edhe ndalesh e mendon në një komunë ndoshta shumë të vogël nëse do të jenë gjithë ato rrugë që premtohen se do të shtrohen, por fatkeqësisht i gjithë fokusi vazhdon të jetë asfalti”,deklaron ajo.
Kjo fushatë zgjedhore është më e zbehtë se të kaluarat, thotë Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
“Fushata zgjedhore për këto zgjedhje lokale duket më e zbehtë nëse krahasohet me fushatën e zgjedhjeve parlamentare, ndonëse nuk është që mund të matet si kriter ose si një lloj kriteri matës, sepse dallon edhe natyra e fushatës për zgjedhjet qendrore është diçka më esenciale, është diçka më e madhe në kuptimin e diskutimeve të politikave publike… Vërehet qartë që edhe fushata por edhe programet edhe angazhimet e kandidatëve dhe të këshilltarëve ose të kandidatëve për këshilltar komunal po fokusohet kryesisht në infrastrukturë dhe kryesisht në disa lloj fushata online, në kuptimin e përdorimit të rrjeteve sociale më shumë se sa të takimeve fizike me qytetarë apo me grupe të caktuara të interesit”, shprehet Bugaqku.
Nga monitorimi i fushatës për zgjedhjet lokale, Bugaqku thotë se “nuk ka avancim e as ide reformatore sa i përket qeverisjes lokale në vend”.
“Kryesisht fushata edhe këtë vit mendoj që po fokusohet në çështje të infrastrukturës, në ndërtimin e rrugëve dhe të kanalizimeve, infrastrukturës të themi që kanë të bëjnë me lokalitete të caktuara, fshatra dhe nëpër qytete të ndryshme. Edhe sivjet po dominon diskutimi mbi këtë fushë, mbi çështjen e ndërtimeve të rrugëve dhe të kanalizimeve apo të pajisjeve për ujësjellës dhe çështje që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve të atyre zonave. Nuk kam vërejtur diçka ndonjë avancim karshi programeve apo të kryetarëve të komunave me ndonjë ide reformatore sa i përket qeverisjes lokale në vend. Deri më tani nuk po shoh diçka ndonjë ecuri ose ndonjë të arritur në kuptimin e asaj që një kandidat jep një program të qëlluar në kuptimin e një zhvillimi të ndonjë reforme që është e avancuar sa i përket fushatës lokale”, shton ai.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit të drejtë vote kanë dy milionë e 69 mijë e 98 votues. Në mesin e tyre janë edhe mbi 43 mijë votues prej jashtë shtetit.
Në këto zgjedhje lokale janë certifikuar 93 subjekte, prej tyre 32 parti politike, 32 iniciativa qytetarë, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë organizuar në vitin 2021./kp